Thirrja e Ramës si dëshmitar në dosjen ‘Partizani’, SPAK nuk kundërshton, ia lë 'topin' gjykatës

Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua këtë të enjte seanca e radhës për dosjen “Partizani”, ku SPAK u shpreh mbi një sërë kërkesash të paraqitura nga të pandehurit në këtë çështje. Gjatë seancës, përfaqësuesit e SPAK deklaruan se nuk kundërshtojnë kërkesën e Jamarbër Malltezit për thirrjen si dëshmitarë të disa personave, mes të cilëve edhe kryeministri Edi Rama, duke ia lënë vendimmarrjen përfundimtare gjykatës.

Prokurorja e çështjes theksoi se për disa prej dëshmitarëve të kërkuar, si Silva Bello dhe Ermir Hasa, duhet të specifikohet qartë objekti i dëshmisë dhe çfarë pritet të saktësojnë në gjykim. Nga ana tjetër, SPAK kërkoi që të mos pranohet thirrja e disa personave të tjerë si dëshmitarë, përfshirë Besmir Karaxhën dhe Irena Gjokën, me argumentin se nuk kanë lidhje me objektin e akuzave. Gjithashtu, prokuroria kundërshtoi edhe pretendimet e ngritura nga mbrojtja lidhur me ekspertimet, duke theksuar se ato janë kryer në përputhje me ligjin dhe procedurat përkatëse.

Nga ana e mbrojtjes, avokatja Klodiana Gjyzari kërkoi që gjykata të garantojë balancë dhe barazi mes palëve, duke theksuar se nëse pranohen provat e paraqitura nga SPAK, duhet të pranohen edhe ato të mbrojtjes. Ndërkohë, avokati Klodian Skënderaj ngriti shqetësimin për atë që e cilësoi si standard të dyfishtë në trajtimin e çështjeve të legalizimeve.

Vetë Jamarbër Malltezi akuzoi për ndërhyrje politike në proces, duke deklaruar se çështja është e motivuar politikisht.

Diskutimi në seancë:

Prokurorja: Për pyetjen e Silva Bello, Ermir Hasa, duhet të citohet se për çfarë do thirren, çfarë do të cilësojnë. Dhe çfarë do saktësojnë. E lëmë në çmim të gjykatës për të vendosur. Edhe për Besmir Karaxhën kërkojmë të mos pranohet thirrja e tij. Emërimin e ka marrë në vitin 2023. Edhe për aktet e ekspertimit duke ngritur prerendime se SPAK ka imponuar këto ekspertime, por ne si SPAK kemi në bazë ligjin sipas Komisionit të Vlerësimit. Kërkojmë mos pranohet edhe kërkesa për thirrjen e Irena Gjokës. Nuk kanë lidhje me objektin e akuzave. Malltezi kërkon të merren si provë edhe deklaratat e tij nëpër portale apo emisione por kërkojmë të mos pranohet nga Gjykata se nuk kanë lidhje me faktet penale.

Avokatja Klodiana Gjyzari: Gjykata duhet të vlerësojë provat që sillen, duhet balancim dhe barazi. Nëse pranohen provat që sjell SPAK duhet të pranojë edhe provat e mbrojtjes.

Avokati Klodian Skënderaj: Pse në rastin konkret janë ngritur akuza për praktikat e legalizimeve. Ndërsa ku qëndron problemi të mos përdoren si prova praktikat që kemi sjellë ne për krahasim që nuk ka patur asnjë akuzë. Jemi para një çështjeje totalisht politike. Janë me dhjetëra praktika legalizimesh që kemi sjell si prova mbi dy standartet.

Jamarbër Malltezi: Balla e kishte amanet të fuste në burg Berishën. Edi Rama dha deklaratë për të nxitur SPAK të vepronte ndaj Berishës. Para Irena Gjokës kam ngritur pretendime për proces politik, kam depozituar prova, ajo i zhduku nga procesverbali, edhe gjyqtarja Olldashi në apel zhduku procesverbalin e provave që kisha paraqitur si futi në dosje. Kushtetuesja më tha si ke në fashikuj, ndaj solla portalet dhe gazetat si prova.

Ndërkohë, seanca e radhës lidhur me këtë proces gjyqësor është shtyrë për më 15 prill ora 10:30.