‘Grupet e Iranit do sulmojnë në Shqipëri’/ Alarmi i SHBA nuk është njoftim rutinë, Balla mashtron hapur
Opozita kërkoi në Kuvend mbledhjen e Këshillit të Sigurisë pasi ambasada amerikane njoftoi mbrëmë se grupet e lidhura me Iranin mund të godasin në Shqipëri.
Por ndërkohë që shqetësimi në opinionin publik është i lartë, socialistët po mashtrojnë qytetarët me komentet e tyre.
Taulant Balla deklaroi në Kuvend se ky është një njoftim rutinë nga ambasada amerikane dhe Departamenti i Shtetit.
“Më vjen keq që për hesap të debatit politik përdoret një njoftim rutinë si në të gjitha ambasadat e SHBA, përfshirë këtu edhe DASH, i cili në mënyrë të përditshme në komunikimet publike në rrjetet sociale të DASH, pjesa e zyrës konsullore prej njoftimit të marsit i njofton në mënyrë të përditshëm qytetarët e vet se mund të jenë traget i sulmeve të regjimit iranian,” tha Balla.
Por ky është një mashtrim i hapur.
Një kontroll në faqet e ambasadave në rajon e konfirmon këtë gjë.
Më 28 shkurt, ambasada amerikane në Serbi ka bërë një njoftim të përgjithshëm për shkak të nisjes së luftës në Lindjen e Mesme duke paralajmëruar amerikanët kudo në botë që të kenë kujdes.
Më 2 mars, njoftimi rutinë është shpërndarë edhe nga ambasada amerikane në Malin e Zi.
Ndërkohë, ambasada amerikane në Kosovë e ka shpërndarë njoftimin rutinë më 22 mars.
Kurse ambasada amerikane në Maqedoni nuk ka ndonjë njoftim për luftën.
Nga ana tjetër, për luftën në Iran janë bërë tre njoftime nga ambasada amerikane në Tiranë. Dy paralajmërimet e përgjithshme, për çdo amerikan në botë që të ketë kujdes, janë bërë me 21 dhe 22 mars.
Ndërkohë dje, pra më 1 prill, është bërë njoftimi specifik për Shqipërinë.
“Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar,” thuhet në njoftimin specifik.