Alarmi i Ambasadës së SHBA, Shehu: Kërcënimi nga Irani çështje serioze, kryeministri duhet të japë llogari…

Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu ka ngritur alarmin në seancën parlamentare në lidhje me paralajmërimin e ambasadës amerikane për një kërcënim të mundshëm terrorist në Shqipëri, duke kërkuar praninë e menjëhershme të kryeministrit për të dhënë llogari.

Duke e cilësuar njoftimin e ambasadës amerikane si “shumë serioz”, deputeti theksoi se ai paralajmëron për një rrezik potencial nga grupet terroriste iraniane që ekziston në vend. Ai kritikoi ashpër reagimin e qeverisë, duke e akuzuar për “mendjelehtësi dhe nënvlerësim” të situatës.

Sipas deputetit, është e domosdoshme që Kryeministri i Shqipërisë të referojë përpara Kuvendit. “Duhet të dëgjojë pyetjet dhe shqetësimet e deputetëve shqiptarë në lidhje me këtë çështje dhe të jetë prezent për të sqaruar se çfarë po ndodh, çfarë masash janë marrë dhe ku po ecet,” u shpreh ai gjatë fjalës së tij. Ai vuri në dukje mungesën e një “reagimi adekuat” nga ana e qeverisë, si dhe mosmblbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes Kombëtare nga Presidenti.

Ai kritikoi institucionet shqiptare të sigurisë, duke thënë se ka ndodhur një përmbysje rolesh. Sipas tij, duhet të ishte qeveria shqiptare, Ministria e Brendshme dhe shërbimet e inteligjencës ato që do të informonin të parat dhe do të vendosnin në gjendje alarmi jo vetëm qytetarët, por edhe ambasadat e huaja. “Kurse këtu po ndodh krejtësisht e kundërta. Njoftimi vjen nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur njoftime të tilla duhet të vinin nga institucionet shqiptare,” tha ai.

Tritan Shehu: Dje ka pasur një njoftim shumë serioz nga ambasada amerikane në lidhje me një rrezik potencial që ekziston në vendin tonë nga grupet terroriste iraniane. Unë mendoj se nuk mund ta kalojmë ne si parlament me mendjelehtësi, ashtu si ishte një komunikimi i qeverisë, që realisht nuk e kuptova mirë kush e kishte bërë. Unë mendoj se kemi një rast është e domosdoshme që sot kryeministri i Shqipërisë duhet të referojë përpara parlamentit shqiptar, duhet të dëgjojë pyetjet e deputetëve shqiptarë, duhet të dëgjojë shqetësimet e deputetëve shqiptarë në lidhje me këtë çështje dhe duhet të jetë prezent për të sqaruar këtë parlament për çfarë po ndodh, çfarë mase janë marrë, ku po ecet, sepse realisht nuk po shoh një reagim adekuat të qeverisë shqiptare dhe as të presidencës për mbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes Kombëtare. Pra unë e konsideroj serioz njoftimin e djeshëm të ambasadës amerikane sepse dilte jashtë si herët e tjera të çështjeve që lidhen me qytetarët amerikanë, po lidhej me pasigurinë në territorin shqiptar, në aktivitetet publike, në zonat turistike, në zonat sociale, në lokalet, në tërësi.

Pra unë mendoj që ishte serioz dhe tregon për diçka të rëndësishme që ne si deputetë duhet ta marrim në konsideratë, duhet t'i kërkojmë qeverisë të na sqarojë dhe nuk mund ta kalojë qeveria duke thënë që ishte një hamendje dhe nuk ne nuk jemi informuar. Ku në fakt duhet të ishte qeveria jonë, ministria jonë e brendshme, institucionet tona të inteligjencës, që të informonin të parat dhe të vinin të parat në gjendje alarmi, jo vetëm qytetarët shqiptarë, por dhe ambasadat e huaja që janë në Shqipëri. Kurse këtu po ndodh e kundërta. Po ndodh, po krejtësisht e kundërta. Njoftimi vjen nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur njoftime të tilla duhet të vinin nga institucionet shqiptare, të cilët duhet të vinin në gjendje alarmi ata të cilët janë përgjegjës për sigurinë kombëtare dhe për inteligjencën në Republikën e Shqipërisë. Nuk është një çështje thjesht e Ministrisë së Jashtme, jo. Unë mendoj është as e Ministrisë së Brendshme vetëm. Unë mendoj që është një çështje e qeverisë, prandaj duhet kryeministri shqiptar të vijë këtu, të dëgjojë pyetjet, vërejtjet, mendimet e deputetëve dhe t'i japi sqarime, sepse është një çështje serioze dhe që duhet të marrë me shumë seriozitet.