Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca paraqitet në GJKKO si i pandehur, zhvillohet seanca e radhës

Avokati Plarent Ndreca është paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kësaj here në cilësinë e të pandehurit.

Në GJKKO po zhvillohet seanca e radhës ndaj Ndrecës, i cili përballet me akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”. Sipas hetimeve, kjo vepër penale dyshohet të jetë kryer gjatë periudhës kur ai ushtronte detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) pretendon se Ndreca ka drejtuar një grup zyrtarësh, të cilët dyshohen se kanë ndërhyrë në një procedurë prokurimi publik. Sipas akuzës, gjatë kësaj procedure është favorizuar në mënyrë të paligjshme një bashkim operatorësh ekonomikë, duke cenuar konkurrencën e ndershme.

Seanca pritet të vijojë me paraqitjen e provave dhe qëndrimet e palëve në proces.