Ultimatumi i Ceferin për Italinë: Rregulloni infrastrukturën ose harrojeni EURO 2032!

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka komentuar dështimin e Italisë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, duke mbrojtur drejtuesit dhe duke theksuar problemet serioze të futbollit italian.

I pranishëm në tribunën e stadiumit në Zenicë, ai doli në krah të Gabriele Gravina, duke e mbështetur pas eliminimit.

“Në një farë mënyre jam i surprizuar nga eliminimi i Italisë. Nga ana tjetër, Bosnja ka një skuadër të re dhe të fortë, plus luajti në shtëpi. Kishte më shumë presion mbi Italinë. Bosnja e meritoi të shkojë në Botëror, Italia e humbi ndeshjen pas kartonit të kuq”, deklaroi Ceferin.

Ai hodhi poshtë idenë se përgjegjësia bie vetëm mbi drejtuesit apo trajnerin: “Kur isha president i federatës sllovene, i thosha trajnerit: nëse fitoni, jeni heronj. Nëse humbisni, përgjegjësia bie mbi ne. Nuk është faji i Gabriele Gravina dhe nuk do të sulmoja lojtarët apo trajnerin”.

Sipas tij, problemi kryesor lidhet me infrastrukturën: “Ndoshta janë politikanët italianë që duhet të pyeten pse Italia ka një nga infrastrukturat futbollistike më të këqija në Europë”.

Ceferin paralajmëroi edhe për Euro 2032: “Shpresoj që infrastruktura të jetë gati, përndryshe turneu nuk do të luhet në Itali”.

Në fund, ai shprehu besimin se Italia mund të rikthehet në majat e futbollit, por vetëm nëse politika dhe futbolli bashkëpunojnë në të njëjtin drejtim.