'Ndryshimet në arsim përmes udhëzimit të ri'/ Lama: Qindra mësues në rrezik skualifikimi
Një udhëzim i ri nga Ministria e Arsimit ka shkaktuar një valë pasigurie dhe shqetësimi mes mijëra mësuesve në të gjithë vendin. Pedagogë me 10 deri në 16 vite përvojë në sistemin arsimor po përballen me një barrierë të papritur burokratike që rrezikon t'i skualifikojë nga procesi i kualifikimit profesional.
E ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto', Alma Lama nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar shpjegoi se problemi qëndron në një kriter të ri që kërkon posedimin e licencës për të kaluar në shkallën e tretë të kualifikimit.
Ky rregull godet kryesisht mësuesit e punësuar pas vitit 2011, të cilët, pavarësisht se kanë kaluar dy shkallët e para të kualifikimit gjatë karrierës së tyre, tani gjenden të bllokuar.
Sipas saj, bëhet fjalë për një kategori mësuesish që kanë përfunduar studimet në sistemin para-Bolonjës, diplomat e të cilëve i titullojnë drejtpërdrejt si "mësues" për lëndë specifike, si kimi apo matematikë, ndryshe nga sistemi i Bolonjës që solli masterin shkencor dhe procesin e licencimit.
Kjo kërkesë e re konsiderohet absurde, pasi u imponohet mësuesve që tashmë ushtrojnë profesionin prej vitesh.
Pasojat e para tashmë janë evidente. Në Vlorë, rreth 200 mësues u shfaqën në listat e të skualifikuarve, duke ndezur alarmin për një problematikë që shtrihet në të gjithë Shqipërinë.
Ky nuk është rasti i parë i një ndryshimi ligjor që krijon pabarazi. Më herët, një tjetër ndryshim ligjor solli diskriminim në paga, ku mësuesit e punësuar para vitit 2017 përfitojnë një pagë grupi që kolegët e tyre më të rinj nuk e marrin.
Kjo tregon një model të hartimit të akteve ligjore e nënligjore pa u analizuar pasojat reale që ato sjellin në sistem.
Këto politika, të draftuara nga ministritë e linjës, po dështojnë të marrin në konsideratë realitetin dhe përvojën e fituar të mësuesve.
Deklarata e plotë:
“Jemi përballë situatës me një shqetësim të ri për mijëra mësues.
Në qoftë se ne në muajin dhjetor u përballëm duke sjellë ndryshime ligjore ku u mbështetëm dhe nga deputetët e parlamentit të Shqipërisë, theksoj që sollëm një ndryshim i cili është përsëri diskriminues, pasi ka persona përgjegjës në ministri që u panë qartë edhe në komisionin e edukimit që luanin rolin e kryenegociatorit apo hartuesit, mirëhartuesit të ligjit, edhe ai u bë me probleme.
Pasi ka një datë 2017-a, kush është futur në punë para 2017-ës e fiton të drejtën e pagës së grupit, kush u fut pas nuk e fiton.
Pra, kauza e parë, pavarësisht se patëm përpjekje, patëm organizim dhe lobim të mirë, nuk e zgjidhëm, përfundimisht. Pra, e zgjidhëm për një pjesë mësuesish.
Jemi përsëri në një situatë të radhës, e cila, në qoftë se do të ishin disa mësues, ose do të ishin të numërueshëm, do të themi, problemi qëndron te këta mësues.
Këta mësues duhet t'i drejtohen, domethënë, marrjes së licencës, ashtu sikurse Ministria e Arsimit dikton, nëpërmjet udhëzimeve që ajo ka propozuar dhe ka nxjerrë në sistem. Por ne në fakt jemi përballë një fakti ku kemi mijëra mësues, të cilët ushtrojnë profesionin prej 10 deri në 16 vite në sistem.
Kjo kategori mësuesish sot diktohen që të shkojnë të marrin të drejtën e ushtrimit të profesionit. Nuk bën sens.
Atëherë, për ta bërë më të thjeshtë edhe për publikun që na dëgjon. Mësuesit gjatë ushtrimit të profesionit të tyre, kalojnë disa kategori kualifikimi. Tre kategori janë ato.
Pas tre vitesh mësuesi bëhet i kualifikuar, kalon nëpërmjet një provimi. Pas tetë vitesh bëhet specialist dhe pas 15 vitesh mësuesi, sipas përvojës, trajnimeve, e kemi te ligji 69 i arsimit të lartë, arsimit parauniversitar, pra 69/2012, do të kalojë shkallën e tretë të kualifikimit.
Këta mësues që kanë kaluar, kanë kaluar shkallën e parë dhe të dytë të kualifikimit, po shkojnë për shkallën e tretë të kualifikimit. Në këtë moment, skualifikohen nga e drejta për t'u kualifikuar.
Sepse një udhëzim që ka dalë vjet, pra në shkurt të 2025-ës, sjell kritere, shton kritere të reja që nuk mbështeten në fakt në ligj, në ligjin e arsimit parauniversitar, dhe një nga kriteret që ai shton është, ti duhet të kesh licencë, sepse je futur në punë pas 2011-ës.
Po ndërkohë, jemi përballë një fakti, këta janë mësues që kanë mbaruar sistemin e arsimit para Bolonjës dhe në diplomat e tyre janë të titulluar mësues i kimisë, mësues i matematikës. diplomat e Bolonjës sollën master shkencor në mësuesi, pra diplomuar për master shkencor në mësuesi anglisht. Dhe pasi licencohet, ai merr titullin dhe ushtron profesionin.
Tani këto ligje në fakt po bëhen, prodhohen nga, dalin, bëhen drafte nga ministritë e linjës dhe pastaj kalojnë në parlament.
Këto ligje në fakt, kur vijnë për t'u implementuar, sjellin këto pasoja. Dhe nuk mendohen nga ministria e linjës se çfarë pasojash sjellin. Aktualisht, Vlora që ishte i pari qytet që afishoi 200 e ca mësues që u skualifikuan, pastaj u kap situata dhe u izolua nga ZVA-t e tjera".