Rama: Injoroni hamendësimet e Ambasadës Amerikane

Pasditen e sotme, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri publikoi një mesazh alarmues për sigurinë në vend.

Në njoftim theksohej se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë objekte të lidhura me SHBA apo elementë të opozitës iraniane në Shqipëri.

Ambasada paralajmëronte kujdes të shtuar në zona të frekuentuara si qendra tregtare, hotele, restorante dhe zona turistike — një sinjal i qartë se rreziku nuk është teorik, por konkret dhe potencialisht i afërt.

Por në vend që ky paralajmërim të trajtohej me seriozitetin maksimal që kërkon një situatë e tillë, reagimi i qeverisë shqiptare u karakterizua nga një ton shpërfillës dhe relativizues. Në thelb, mesazhi që përcillet është se institucionet shqiptare ose nuk janë në gjendje të kuptojnë peshën e një alarmi të tillë, ose zgjedhin ta minimizojnë atë për arsye politike.

Kjo qasje jo vetëm tregon papërgjegjshmëri, por vendos në pikëpyetje edhe kapacitetin real të shtetit për të garantuar sigurinë në një moment kur paralajmërimet vijnë nga një prej vendeve me strukturat më të avancuara të inteligjencës në botë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Edi Rama dhe aparati i tij komunikues duket se zgjedhin të ironizojnë apo banalizojnë sinjale të tilla, duke i trajtuar si rutinë propagandistike, në vend që t’i shohin si kambanë alarmi për një situatë që kërkon transparencë, vigjilencë dhe përgjegjësi maksimale.

Në një kontekst ku Shqipëria përmendet shpesh nga kjo ambasadë për probleme evidente si korrupsioni, narko-trafiku dhe krimi i organizuar, një reagim i tillë nuk është thjesht i papërshtatshëm — është i rrezikshëm. Sepse kur paralajmërimet serioze trajtohen me lehtësi, rreziku nuk zhduket; përkundrazi, injorimi mund të çojë në situata të pakontrollueshme më.

Më poshtë lexoni mesazhin e Agjencisë Zyrtare të Komunikimit të Qeverisë shpërndarë për disa media në Tiranë:

“Ambasada e SHBA jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja, por agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane. Kështu që ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në reagimin e Agjencisë për Media dhe Informim.