Postoblloqe policie në Krujë dhe Fushë-Krujë, kontrolle në zonat problematike

Postoblloqe të shumta policie janë vendosur në të gjitha akset rrugore të rrethit të Krujës, kryesisht në zonën e Fushë-Krujës, në kuadër të një operacioni për rritjen e sigurisë dhe goditjen e paligjshmërisë.

Forcat e Komisariatit të Policisë Krujë, të mbështetura edhe nga strukturat operacionale të Drejtorisë së Policisë Tiranë, po ushtrojnë kontrolle të imtësishme me qëllim parandalimin e veprimtarive kriminale, kapjen e personave në kërkim, si dhe ndalimin e atyre që qarkullojnë me armë apo lëndë narkotike.

Burime nga policia bëjnë me dije se drejtuesit e rinj të komisariatit kanë vendosur në fokus të veçantë zonat e konsideruara “të nxehta”, të njohura për praninë e individëve me precedentë të rëndë kriminalë, si dhe zonat problematike për kultivimin e kanabisit.

Operacioni pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa autoritetet synojnë forcimin e rendit dhe rritjen e kontrollit në territor.