‘Institucionet, dështojnë ta luftojnë’, Preçi: Pompimi i parave të pista, simptomë e ekonomisë së deformuar

Ekonomia shqiptare vazhdon të jetë thellësisht e infiltruar nga paratë e krimit të organizuar, të cilat gjejnë rrugën më të lehtë për t'u pastruar përmes sektorit të ndërtimit.

I ftuar në ‘Task Force’ në Syri Tv, eksperti i ekonomisë Zef Preçi shpjegon se kjo situatë alarmante jo vetëm që deformon tregun, por gjithashtu nxjerr në pah një dështim sistemik të institucioneve ligjzbatuese për të luftuar këtë fenomen.

Një nga problemet kryesore që identifikon Preçi është mungesa e bashkëpunimit efektiv mes Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe agjencive të tjera, përfshirë policinë.

Kjo shkëputje institucionale, ndër të tjera thekson eksperti, krijon hapësira për krimin, duke bërë që edhe pasuritë e sekuestruara provizorisht të mos konfiskohen përfundimisht, por në shumë raste t'u kthehen sërish në mënyra të tërthorta eksponentëve të krimit apo familjarëve të tyre.

Pesha e ekonomisë informale dhe asaj kriminale vlerësohet të jetë rreth 1/3, e madje deri në 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa këto shifra shprehet ndër të tjera Preçi, tregojnë për një sistem paralel që funksionon jashtë rregullave, duke u mbështetur në skema gjithnjë e më të sofistikuara të pastrimit të parave.

Sektori i ndërtimit, me dinamikën e lejeve dhe mungesën e transparencës për planet e biznesit, shfaqet si "lavatriçja" kryesore e këtyre fondeve me origjinë të dyshimtë. Në mënyrë paradoksale, përballë këtyre akuzave, argumenti i qeverisë është se rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit tregon një ekonomi të shëndetshme, e cila nuk mund të jetë e dominuar nga korrupsioni.

Megjithatë, eksperti Preçi e kundërshtojnë këtë logjikë, duke shpjeguar se pompimi i parave në ekonomi, pavarësisht origjinës së tyre, natyrshëm që rrit aktivitetin ekonomik afatshkurtër dhe të ardhurat nga taksat, siç është taksa e infrastrukturës nga ndërtimet.

Kjo nuk është shenjë shëndeti, thekson ai, por një simptomë e një ekonomie të deformuar, ku paraja e pistë legjitimohet dhe hyn në sistem, ndërsa bizneset e ndershme dhe kompanitë e huaja serioze largohen.

Kemi bashkëpunim të munguar apo të dyshimtë të agjencive ligjzbatuese, duke përjashtuar KLSH-në dhe deri diku dhe policinë, me SPAK-un. Në të njëjtën kohë duhet thënë që pjesa tjetër e drejtësisë, flas për prokurorinë e zakonshme dhe gjykata të zakonshme e me radhë, pak merren, për të mos thënë që pasuritë e konfiskuara krimit, që janë në nivele tejet minore në raport me ato çka sekuestrohen në mënyrë provizore, në mjaft raste kanë përfunduar përsëri në duart e eksponentëve të krimit të organizuar, familjarëve të tyre, të afërmve të tyre e të tjerë dhe ajo çka shpresojnë qytetarët, ne, taksapaguesit, votuesit e të tjerë, që t'u hiqet fuqia ekonomike, sepse nuk mjafton të spostohen nga skena e tregut ku operojnë, dhe kjo nuk është duke ndodhur në të vërtetë, por t'u hiqet fuqia ekonomike, sepse fuqinë e kanë tek paratë që disponojnë, apo lingotat e arit e të tjera si këto, për fat të keq ato janë prezent edhe me një prezencë konstante. Është disi paradoksale, por ndërsa besimi i publikut ndaj drejtësisë së reformuar, kryesisht SPAK-ut, është rritur dhe kjo s'ka pse të mohohet, në të njëjtën kohë është rritur dhe kostoja e korrupsionit në qeverisjen e vendit dhe pesha specifike e ekonomisë informale dhe kriminale mbetet konstante, është më shumë sesa 1/3 e ekonomisë, diku te 40%.

Ajo që unë konstatoj, përveç mungesës së bashkëpunimit apo bashkëpunimit të pamjaftueshëm të agjencive të tjera ligjzbatuese, përgjegjëse për sektorët e ndryshëm të ekonomisë, që nga territori, lejet, energjia, uji e të tjerë, shoh edhe faktin që janë sofistikuar shumë format e këtij krimi dhe njëkohësisht përherë e më shumë janë të toleruara nga pjesa administrative, nga qeveria. Mjafton të shohim dinamikën e lejeve të ndërtimit, mungesën e planeve të biznesit dhe askush nuk shqetësohet për to, deformimet që vijnë në tregje për shkak të pompimit të këtyre parave. Dhe largimin, dhe mungesën e kompanive që njihen si brand names, pra kompanive të njohura perëndimore e të tjerë. Përherë e më shumë ka një lloj shqiptarizimi të ekonomisë, për fat të keq, që do të thotë që mjaft eksponentë të krimit të organizuar, individë problematikë në vendet perëndimore, shndërrohen në biznesmenë, indirekt në kontribues në fushatat zgjedhore dhe që deformojnë deri dhe vullnetin e qytetarëve. Për të mos thënë që deformimet në ekonomi janë prezent, aq sa sistemi ynë i prokurimit sot mund të konsiderohet si porosi shtetërore, kontraktim direkt, por jo si garë në kuptimin perëndimor dhe ligjor të kësaj fjale.

Këto aktivitete bëhen shqetësim jo vetëm për ekonominë tonë këtu, por bëhen shqetësim edhe për vendet prej nga prej nga vijnë. Për të parë këto ura që ndërtohen midis krimit në të dyja vendet apo midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera, për të parë dinamikat që janë, për të parë kanalet që përdoren, edhe për të parë ndikimin që ka, sepse nuk është e afektuar vetëm ekonomia jonë, por gradualisht bëheni problematikë edhe për ta. Domethënë këto fenomene, se gjithmonë ka një perceptim në jetën tonë të përditshme që e mësuam nga ata, erdhi prej andej e me radhë. Nuk është kështu. Dobësitë e sistemit sa i takon sundimit të ligjit, sa i takon integritetit të nënpunësve publikë, sa i takon respektimit të kuadrit ligjor nga cilido që merr përsipër të menaxhojë një sektor të caktuar në fatet e përbashkëta, lënë shumë për të dëshiruar dhe janë shumë larg atyre standardeve që ne pretendojmë se duhet të arrijmë.

Në çdo rast, pompimi i parave në ekonomi, pavarësisht origjinës së tyre, çon në rritjen e ekonomisë. S'ka si të ndodhë ndryshe. Hapen, hapen disa vende pune. Në qoftë se shikoni një kullë në mes sheshit Skënderbej, aty janë qindra punëtorë që janë punësuar, që kanë çuar bukën për fëmijët e tyre. Por në të njëjtën kohë, ta çoj deri në fund arsyetimin. Në të njëjtën kohë janë disa kontribute në taksën e infrastrukturës e të tjerë dhe Bashkia e Tiranës ka pasur vite 2021-shin e 22-shin që ka shkuar 40% e të hyrave të buxhetit, pra bëhet fjalë për 150 milionë e 200 milionë euro që kanë hyrë nga ky burim. Pra kanë marrë, tjetër gjë pastaj përdorimi, por kanë marrë legjitimitet, pra janë futur në ekonomi dhe nga ana tjetër zoti Rama përmend kursimet. Një ekonomi që rrit kursimet do të thotë që nuk absorbon, sepse kursimet janë, bashkohen me kapitalet e... Kursimet e qytetarëve flas, shkojnë për të zgjeruar ekonominë, për të financuar ekonominë reale, gjë që nuk po ndodh. Nga ana tjetër, kur vijmë tek prokurimet, ajo është disi komike ta përmendësh, sepse shumica e prokurimeve të kryera që kanë rezultuar me flamur të kuq në të tëra llojet e analizave, janë subjekt i hetimit, janë subjekt i evazionit, janë pa garë, janë të paracaktuar.