Reagimi i ashpër i Yamal-it: Unë jam mysliman, alhamdulillah! Përdorimi i fesë si tallje ju bën injorantë dhe racistë

Një episod i rëndë ka tronditur ndeshjen mes Spanjës dhe Egjipti, ku në stadium u dëgjuan thirrje fyese me përmbajtje fetare. Pas këtij momenti, ka reaguar publikisht talenti i ri i Barcelonës dhe i përfaqësueses spanjolle, Lamine Yamal.

Sulmuesi i ri, i cili është besimtar mysliman, u duk i prekur që në fushë, duke u larguar i pari dhe me kokën ulur vetëm pak minuta pas fillimit të ndeshjes së zhvilluar në stadiumin e Espanyol-it. Sfida përfundoi në barazim pa gola, por ngjarja në tribuna la një shije shumë të hidhur.

Në një reagim në rrjetet sociale, Yamal shprehu hapur zhgënjimin e tij për thirrjet “mysliman është ai që nuk kërcen”, duke theksuar se, edhe pse nuk ishin drejtuar personalisht ndaj tij, ato përbëjnë mungesë të thellë respekti.

“Jam mysliman, alhamdulillah, dhe ndihem krenar për këtë. Edhe nëse thirrjet nuk ishin drejtpërdrejt për mua, si besimtar nuk mund të mos i konsideroj si të papranueshme,” u shpreh ai.

Yamal shkoi edhe më tej, duke dënuar ashpër ata që përdorin fenë si mjet talljeje: “Të përdorësh një fe për të ofenduar të tjerët tregon injorancë dhe racizëm. Futbolli është për t’u shijuar dhe për të mbështetur ekipin, jo për të fyer njerëzit për atë që janë apo për atë që besojnë.”

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në Spanjë, ku drejtues dhe lojtarë të kombëtares kanë shprehur indinjatën e tyre. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për incidentin, i cili ka dëmtuar imazhin e futbollit spanjoll dhe pritet të sjellë pasoja edhe në arenën ndërkombëtare.