SYRI TV/ Dështon për të 3-tën herë gjyqi ‘Veliaj’, shkak mungesa e një avokati në gjyq
Ka dështuar për të 3 herë mes debateve dhe akuzave të ndërsjellta gjyqi për dosjen “Veliaj”. Kryebashkiaku i Tiranës nuk mori pjesë në seancë teksa në deklaratën drejtuar gjykatës, parashtronte se ishte shumë I ngarkuar në paraburgimin e Durrësit duke lexuar 60 mijë faqe akte hetimore që iu vunë në dispozicion. SPAK tha se gjyqi po zvarritet qëllimisht, ndërsa avokatët e Veliajt akuzuan SPAK se po vepron emocionalisht.
Syri TV
Ka dështuar në GJKKO seanca e 3 në radhë në ngarkim të Erion Veliajt dhe personave të tjerë nën hetim. Kryebashkiaku i Tiranës nuk u paraqit sërish në seancë por lëshoi një deklaratë ku njoftonte ndër të tjera se është duke lexuar fashikujt hetimor në paraburgimin e Durrësit. Ai u përfaqësua nga avokati Plarent Ndreca që u legjitimua si mbrojtës në seancën e shkuar. E pranishme ishte edhe avokatja kryesisht Valentina Todoresku. Mbrojtja e biznesmenit Fatmir Bektashi kërkoi ndarjen e procesit gjyqësor, ndërsa avokati i një prej të pandehurve u bë shkas që të shtyhej seanca për më 3 prill.
Ndërkohë në seancë ka patur debate mes avokatit Ndreca dhe prokurorit Olsi Dado. Ky fundi ka thënë se Veliaj po përpiqet të zvarrisë seancën por kjo u kundërshtua nga avokati i Veliaj, Plarent Ndreca. Në dalje nga GJKKO, avokati Ndreca tha se po tentohet që procesi të bëhet me nxitim në një kohe kur dosja është voluminoze, teksa iu përgjigj pretendimit të SPAK për zvarritje të qëllimtë të gjykimit.
Pas seancës në profilin e FB të Erion Veliajt u shpërnda një reagim I avokatëve të tij, që në krye të herës, njoftojnë se do komunikojnë në këtë formë me publikun, duke paraqitur ankesa për mënyrën si trajtohen në media zhvillimet e këtij gjyqi. Më tej, jepen edhe shkaqet se pse është e nevojshme sipas avokatëve koha, duke ndarë edhe numrin e lartë të faqeve të dosjes prej 60 mijë të tilla, procesin me 30 të pandehur, 190 dëshmitarët ku theksohet se vetëm vendimi I gjykatës për seancën paraprake ka 650 faqe.