BE-ja i dërgon Ukrainës të ardhurat nga asetet ruse - 1.4 miliardë euro nga interesat...

Bashkimi Evropian do t'i transferojë Ukrainës 1.4 miliardë euro të ardhura të gjeneruara nga interesat mbi asetet e ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë, njoftoi Komisioni Evropian.

Paratë vijnë nga fondet e mbajtura nga depozitat qendrore të letrave me vlerë, të cilat janë bllokuar sipas sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Është transferimi i katërt i këtij lloji, pas pagesës së mëparshme në gusht 2025, dhe përfshin të ardhura nga gjysma e dytë e të njëjtit vit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se fondet do të drejtohen për nevojat më të rëndësishme të Ukrainës.

“Këto 1.4 miliardë euro do të drejtohen aty ku është më e nevojshme, për funksionimin e shtetit, ruajtjen e shërbimeve publike themelore dhe mbështetjen për forcat e armatosura ukrainase”, tha ajo.Komisioni thekson se asetet e ngrira ruse mbeten të paprekura, por të ardhurat nga interesi mbi këto fonde nuk i përkasin Rusisë. Me propozimin e Komisionit Evropian, shtetet anëtare ranë dakord që paratë duhet të përdoren për të ndihmuar Ukrainën.

Ky vendim është pjesë e një politike më të gjerë të BE-së për të vazhduar mbështetjen financiare dhe politike për Ukrainën.