Berisha-deputetëve: Angazhohuni me anëtarësimet e reja në parti, ky do jetë tregues për vlerësimin e punës tuaj
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka bërë thirrje deputetëve që të angazhohen për të bërë anëtarësime të reja në parti.
‘Angazhohuni me anëtarësimet e reja në parti, ky do jetë tregues për vlerësimin e punës tuaj’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen me grupin parlamentar në selinë blu.
Berisha: Ndërkohë do ta mbyll me dy kërkesa të tjera për ju zotërinj deputetë.
Në të gjitha degët e vendit po zhvillohen zgjedhjet.
Janë zhvilluar dhe kanë ecur me një normalitet në tërësinë e tyre, por detyrë më e rëndësishme sot janë anëtarësimet e reja.
Unë bëra edhe dje një mbledhje me drejtuesit politikë dhe koordinatorët, por secili prej jush është i ftuar të kontribuojë në mënyrën më serioze që mund të kontribuojë në anëtarësime të reja.
Është jetike për PD-në ky proces.
Mos harroni që ne kemi një problem madhor, spastrimin etnik për shkak të politikave të Edi Ramës, largimin e njerëzve nga Shqipëria.
Ndaj dhe duhet ta përparësoni, duhet të kontribuoni me të gjithë mundësitë tuaja për anëtarësime të reja.
Duhet ta vlerësojmë në shkallë maksimale.
Është kushti i të gjitha kushteve që kjo forcë politike të rezistojë e pamposhtur ndaj kësaj diktature autoritare të bazuar në drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Është gjithashtu një tregues në vlerësimin e punës së gjithsecilit.
Duhet ta marrim në mënyrën më serioze.