Apple mbush sot 50 vjeç

Kompania Apple mbush sot 50 vjeç dhe zhvillimi i saj ka formësuar industrinë e teknologjisë dhe kulturën popullore, duke popullarizuar telefonat inteligjentë, aplikacionet mobile dhe integrimin e pajisjeve me softuerë, raporton Reuters.

Apple u themelua në fillim të vitit 1976 në Kaliforni, kur Steve Wozniak përfundoi projektimin e pllakës amë, dhe miku i tij Steve Jobs pa një mundësi biznesi për të prodhuar dhe shitur kompjuterë.

Sot, prodhuesi i iPhone përballet me sfidën e të qëndruarit i rëndësishëm në epokën e inteligjencës artificiale, ndërsa rivalët Alphabet dhe Microsoft po investojnë miliarda dollarë në këtë fushë.

Megjithatë, kërkesa e fortë për modelin më të fundit të iPhone 17 rriti fitimet e Apple në tremujorin e fundit të vitit 2025, ndërsa MacBook Neo prej 599 dollarësh pati një fillim të mirë, raporton agjencia britanike.

Apple është një nga kompanitë më të vlefshme globale dhe shitjet e iPhone pritet të arrijnë në 465 miliardë dollarë deri në fund të vitit fiskal në shtator.

Analisti Ben Thompson për portalin Stratechery.com vlerëson se Apple ka ekzistuar për gjysmë shekulli pa konkurrencë serioze në modelin e biznesit të integruar, por se e ardhmja e kompanisë do të varet nga aftësia për t'iu përgjigjur sfidave të inteligjencës artificiale.