Dështon seanca e 3 në GJKKO/ Prokurori i SPAK akuza Erion Veliajt: Strategji për të zvarrit procesin…
Ka dështuar në GJKKO seanca e 3 në radhë në ngarkim të Erion Veliajt dhe personave të tjerë nën hetim, në të cilën kryebashkiaku i Tiranës nuk u paraqit sërish, por lëshoi një deklaratë ku thotë ndër të tjera se është duke lexuar fashikujt hetimorë në paraburgimin e Durrësit.
Ai përfaqësohet nga avokati Plarent Ndreca, që u legjitimua si mbrojtës në seancën e shkuar. E pranishme ishte edhe avokatja kryesisht Valentina Todoresku. Mbrojtja e biznesmenit Fatmir Bektashi kërkoi ndarjen e procesit gjyqësor.
Sokol Hazizaj, avokat: Duke qenë se narrativa nuk ka ndonjë debat për Fatmir Bektashin, kërkojmë ndarjen e procesit për të mos vazhduar me shtyrje. Kërkesën time nuk e bëj në paragjykime, por mendoj që është tej paragjykimeve në këtë proces. Unë po bëj kërkesë të thjeshtë.
Ols Dado: Është strategji për të shtyrë procesin, kemi 8 muaj që s’po arrijmë dot të futemi. Është sjellja e Erion Veliajt dhe avokatit të tij. Kërkesën e avokatit Sokol Hazizaj e shikojmë të pabazuar në ligj. S’ka në thelb shkaqe procedurale. Nuk paraqet interes për ekonominë gjyqësore.
Plarent Ndreca: Nuk është hera e parë që Ols Dado përmend 6 apo 8 muaj. Kërkon të bëjë bashkë edhe gjykimin paraprak, por nuk kemi qëllim për të shtyrë seancën, se unë jam këtu. Seancës unë dua t’i jap atë që ka nevojë, proces të rregullt gjyqësor. Jemi për proces që të zhvillohet me shpejtësi, por pa shkelur të drejtat procedurale. Për kërkesën ne bashkohemi me Artan Simonin për të shtyrë seancën.
Pasi u tërhoq për vendim lidhur me kërkesën e Sokol Hazizaj, GJKKO vëren se në seanca paraprake ka pasur edhe kërkesa të të pandehurve të tjerë të ngjashme. Për to do të ketë një vendimmarrje të mëvonshme të përbashkët. Gjykata shtyu seancën për në një datë tjetër.
Për Valmir Xoxën, i cili nuk ishte sot prezent, gjykata vendos të vazhdojë pa pjesëmarrjen e tij. Ndërkohë, për mosparaqitjen e avokatit Artan Simoni, që mbron Fation Bacin, gjykata shtyn seancën për në datë 3 prill. Në seancën e radhës duhet detyrimisht që Fation Baci të paraqitet fizikisht. Gjykata e Posaçme, pavarësisht raportit mjekësor që paraqiti avokati, në kushtet për shtyrjen e seancës, vendosi që të pezullojë afatet e paraburgimit për të pandehurit që kanë masë arresti.