‘Çdo tender i dyshimtë’, Beci: Srukturat administrative kanë dështuar, prokuroria nuk kontrollon dot gjithçka...
Fjala "tender" është kthyer në sinonim të problematikës në Shqipëri, ku procedurat e prokurimit publik shihen gjerësisht si një burim abuzimi. Në një analizë të thellë, ish-prokurori Eugen Beci i ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv argumentoi se çdo tender në vend është potencialisht i dyshimtë, jo për shkak të ligjit penal, por për shkak të një sistemi administrativ që duket se është ndërtuar për të dështuar.
Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri ish prokurori tha se, problemi nuk qëndron tek ndërhyrja e prokurorisë në fund të procesit, por tek dështimi total i hallkave të brendshme të kontrollit brenda institucioneve shtetërore. Ai e përshkruan këtë si një "sistem të përmbysur", ku strukturat përgjegjëse për mbikëqyrjen e procedurave, si Komisioni i Vlerësimit të Ofertave apo njësitë e apelimit, nuk i korrigjojnë shkeljet. Përkundrazi, ato duket se "dakordësohen me flamurin e kuq" dhe ia kalojnë përgjegjësinë e plotë prokurorisë.
Ky dështim i qëllimshëm i sistemit administrativ, sipas ish-prokurorit, krijon dy pasoja të rënda. Së pari, ai e bën ndërhyrjen e drejtësisë të pashmangshme dhe, së dyti, gjeneron një klimë frike tek zyrtarët, të cilët hezitojnë të firmosin nga frika e hetimeve.
Mungesa e kallëzimeve penale nga vetë njësitë e prokurimit apo të apelimit është dëshmia më e qartë e këtij kolapsi sistemik.
Flavio Qarri: Do të flasim për fjalën më të famshme në Shqipëri. është fjala tender. Tenderat duket se tashmë është e provuar publikisht edhe nga vetë institucionet e mazhorancës që në 100% të rasteve janë gjithmonë me probleme. Do ta diskutojmë edhe me ish prokurorin Eugen Beci. Të flasim pak nga një perceptim i përgjithshëm, për ju si prokuror, të paktën në kohën kur ushtronit detyrën dhe funksionin tuaj. Çdo tender ishte i dyshimtë?
Eugen Beci: Çdo tender potencialisht është i dyshimtë. Fakti që duhet patjetër të kesh një procedurë specifike që lidhet me tenderimin dhe pastaj të shohësh brenda kësaj procedure, a ka mendim kriminal, sigurisht që çdo tender e bën të dyshimtë. E bën të dyshimtë, por duhet të funksionojë çdo element brenda kontrollit të shtetit. Në ç'kuptim? Jo kontrollit të KLSH-së. Kontrollit që duhet të bëjë shteti.
Flavio Qarri: Dhe ajo na ka dalë çikë me probleme.
Eugen Beci: Në ç'koncept. Duke zbatuar ligjin për prokurimet publike në mënyrë të saktë dhe duke ndjekur të tëra strukturat që ka shteti për kontrollet, siç mund të jetë ankimimi ndaj një procedure, siç mund të jetë më tej kontrolli që mund të bëjë një institucion tjetër më i lartë që mund të jetë pranë kryeministrit, pastaj mund të jetë kontrolli i lartë i shtetit dhe në fund hyn në lojë prokuroria. Këtu është përmbysur sistemi. Çfarë ka ndodhur? Të tërë strukturat që lidhen brenda ekzekutivit, duket se dakordësohen me flamurin e kuq. Ju, ju pëlqen ngjyra e kuqe dhe nuk e kanë problem. Dhe duke qenë se ju pëlqen ngjyra e kuqe, nuk e kanë problem, e çojnë të gjithë lojën tek prokuroria dhe çfarë thonë? Nuk ka rëndësi se funksionon ajo apo jo KVO-ja. Nuk ka rëndësi se funksionon Komisioni i vlerësimit të ofertave. Nuk ka rëndësi nëse funksionon apo jo sistemi i ankimimit brenda tenderimit. Nuk ka rëndësi nëse funksionon apo jo kontrolli i lartë i shtetit dhe thonë, po prokuroria ç'po bën? Pyetja që lind është, po këto strukturat e tjera ç'po bëjnë?
Flavio Qarri: Të gjitha me rrogë dhe këto besoj.
Eugen Beci: Të gjitha me rrogë dhe të gjitha me flamur të ngritur lart. Dhe të gjitha kanë një koncept tjetër. Në rast se nuk funksionon asnjë nga hallkat, ti në fund i thua prokurorisë, hajde bujrum. Problemi që lind është, në rast se në gjithë këto vite janë gjetur shumë tendera problematikë. Kemi shkelje të barazisë në tendera, kemi korrupsion, kemi elementë të cilët të çojnë te shpërdorimi i detyrës që është çikë më i largët sepse kemi specifikisht vepra penale konkrete. Atëherë dhe shikon që prokuroria, të paktën prokuroria e posaçme, pa marrë prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, kanë ngritur një sërë çështjesh në lidhje me tenderat, pyetja e vetme që lind është, ore, a ka patur ndonjë revolucion në legjislacion në rast se ka probleme legjislacioni? A ka patur ndonjë revolucion në gjithë këto struktura që unë përmenda? A ka patur ndonjë ndërhyrje përsa i përket mënyrës se si do të organizohen këto struktura? Se pyetja e vetme që lind është, në rast se ti kalon shtatë dyer dhe përfundon te dera e tetë. Ore, përgjegjësitë e këtyre shtatë dyerve ku janë?
Flavio Qarri: Pra, a po thoni që është praktikisht e gjithë, qasja jonë penale gabim tek kjo histori?
Eugen Beci: Jo qasja penale është ‘ok’. Qasja administrative është gabim. Qasja administrative jo është gabim, po duket sikur thotë, ta bëjmë njëherë të gjithën, t'i kalojmë të gjitha strukturat, le të vazhdojmë tenderin. Ta bëjmë petullën dhe pastaj në fund të themi, pse prokuroria nuk ka ndërhyrë? A mund të ndërhyjë prokuroria në 100% të tenderave? Të jesh i bindur, ta them me bindje, në rast se prokuroria, si e posaçme, si një prokurori e zakonshme, kontrollon çdo dokument tenderi në Republikën e Shqipërisë, të paktën pesë vitet e fundit, do gjejë problematika. Atëherë, në rast se gjejmë problematika kaq masive, nuk është më problemi i prokurorisë, është problem i organizimit legjislativ, është problem i organizimit të strukturave, të cilat kanë dështuar totalisht. Pse themi? Them sepse është ngritur flamuri i kuq. Sa kallëzime kemi nga njësitë e prokurimeve? Sa kallëzime kemi nga njësia që merret drejtpërdrejt me apelimin? Zero. Atëherë, ndërhyn vetëm prokuroria. Ky është problemi dhe situata më e vështirë që mund të ekzistojë, se në rast se ndërhyn prokuroria, prokuroria ka ndërhyrë në fund dhe duke qenë se ndërhyn në fund, krijohet ajo fryma pastaj e frikës që paskan zyrtarët dhe nëpunësit për të mos firmosur, se tash është futur kjo frikë e madhe. Dhe thonë që shiko ç'po na bën prokuroria, po na krijon një situatë shumë të vështirë, sepse nuk ka zyrtarë që të firmosin për tenderat dhe po na rrezikohet tenderimi, po na rrezikohet kapitalizmi i të gjithë investimeve dhe të tërë elementët e tjerë. Jo, nuk është e vërtetë kjo. Në rast se ti je në rregull me ligjin, në rast se ti nuk dëgjon eprorin të të vendosë, në rast se ti nuk paragjykon rezultatin e tenderit, s'ke pse të kesh frikë as nga prokuroria, as nga KLSH-ja, as nga ndonjë agjenci tjetër. E thënë me pak fjalë, mos prit që gjithë kohën, flamurin e kuq, ti ta mbash në gjysmë shtizë dhe pastaj të kërkosh që prokuroria ta ngrejë shtizën….