Foda: Krenar për Dardanët, falënderime për tifozët pas finales me Turqinë
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka shprehur krenarinë e tij për performancën e skuadrës në finalen e play-off-it ndaj Turqisë, pavarësisht humbjes minimale 0-1. Trajneri gjerman theksoi përkushtimin e lojtarëve dhe mbështetjen e jashtëzakonshme të tifozëve.
“Sot jemi të gjithë të mërzitur. U munduam dhe deshëm që të kualifikoheshim në Botëror. Ishte e mundur për 90 minuta dhe jam krenar me ekipin”, deklaroi Foda pas ndeshjes. Ai shtoi se skuadra ka përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ky përkushtim do të shërbejë si motiv për të ardhmen.
Trajneri nuk la pa falënderuar tifozët: “Dua ta shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë tifozët që ishin në stadium dhe vizituan shtetet tjera kur ishim mysafirë. Përkushtimi i tyre është i jashtëzakonshëm dhe jemi me fat që i kemi pranë në çdo sfidë”.
Edhe kapiteni Vedat Muriqi reagoi pas humbjes, duke theksuar se fati nuk e deshi Kosovën këtë herë. “Më dhimbset gjithë shteti. Më e rëndësishmja është që lojtarët dhanë shpirtin në fushë dhe çdo tifoz mund ta ndiejë këtë”, tha Muriqi.
Foda përfundoi me mesazhin optimist për të ardhmen: “Synimi ishte kualifikimi në Botëror, por skuadra po zhvillohet mirë. Jam i bindur që puna dhe përkushtimi i lojtarëve do të shpërblehen në të ardhmen. Nuk e kam plan të largohem nga Kosova, më pëlqen vendi dhe populli i saj”.
Ky rrugëtim historik, edhe pse përfundoi me zhgënjim, la një mesazh të qartë: Kosova është duke ndërtuar një ekip konkurrues dhe ambicioz, i gatshëm të luftojë për suksese edhe më të mëdha në të ardhmen.