Shfaqjet në Shqipëri – Violinisti Olen Cesari me një rrëfim ndryshe: Zgjedhje strategjike dhe atdhetare...
Violinisti me famë botërore, Olen Cesari, rikthehet në Tiranë për të pestin vit radhazi me një seri koncertesh në Pallatin e Kongreseve. Në datat 9, 10 dhe 11 prill, artisti do të sjellë para publikut shqiptar një program të pasur, duke konfirmuar lidhjen e tij të fortë me vendlindjen.
I ftuar në ‘A Show’ në Syri Tv, i pyetur nga moderatori Adi Krasta se pse insiston të prodhojë shfaqjet e tij në Shqipëri, kur mund të zgjidhte çdo skenë botërore, Cesari shpjegon se kjo nuk është më një çështje këmbënguljeje, por një zgjedhje strategjike dhe atdhetare.
Sipas tij, që nga viti 2019, Shqipëria ka krijuar kushtet teknike për të prodhuar një produkt muzikor që mund të eksportohet në të gjithë botën. "Fillova ta prodhoja koncertin në Tiranë dhe ta eksportoja nëpër botë," shprehet ai, duke përmendur gjithashtu festivalin e tij në Porto Palermo si një nismë për të promovuar jugun e Shqipërisë.
Prapa virtuozitetit të tij qëndron një disiplinë e hekurt, e rrënjosur që në fëmijëri nga nëna e tij, profesoreshë violine. Cesari ndau një anekdotë të veçantë dhe prekëse gjatë bashkëbisedimit me Kastën, ku tha se edhe sot, në moshën 75-vjeçare ndërsa rikuperohet fizikisht, ajo mbetet kritikja e tij më e vëmendshme.
"Pardje isha duke provuar pjesët e koncertit në dhomë," rrëfen Oleni. "Ajo erdhi me karrocë, futi kokën te dera dhe tha: 'Atë Mi bemolin, do ma ndryshosh ti apo jo?'".
Në intervistë, Cesari foli edhe për marrëdhënien me virtuozin tjetër shqiptar, Tedi Papavramin, të cilin e cilëson si "violinisti më i mirë klasik që ka kombi shqiptar". Ai sqaroi se edhe pse janë rritur bashkë, sot ndjekin rrugë të ndryshme artistike.
Një moment emocionues ishte kujtimi i bashkëpunimit me aktorin e madh Mirush Kabashi, vetëm gjashtë muaj para se ai të ndahej nga jeta. Kabashi kishte recituar një poezi në italisht në një nga shfaqjet e tij, një moment që Cesari e përshkruan si "të paharrueshëm".
Unë deri më 2019-ën, prodhoja spektaklin në Itali dhe pastaj e shisja në të gjithë botën. Nga 2019 e sipër u krijuan kushtet teknike në Shqipëri që ne këtu të paketojmë, të realizojmë një produkt që shitet në të gjithë botën. Dhe unë, si atdhetar i ndershëm që jam, vendosa t'i futem në një farë lloj mënyre kësaj gjëje. Dhe fillova ta prodhoja koncertin në Tiranë dhe ta eksportoja nëpër botë. Dhe kjo ka filluar më 2019. Më 2021-shin pastaj fillova dhe Porto Palermo Festival në Kalanë e Ali Pashës në Himarë, duke anuluar të gjithë impenjimet e mia verore që të promovoja zonën nga kisha prejardhjen time, që është jugu, që është bregdeti. Kështu që unë praktikisht jam nga 1 gusht deri me 21 gusht në kala, i mbyllur si Oso Kuka, si Ali Pasha, në të cilën ftoj artistët që i preferoj, domethënë jam si një zot i shtëpisë që praktikisht fton artistët edhe nga gjithë bota, normalisht. Dhe praktikisht promovojmë në maksimum që, me maksimumin që mundem unë Shqipërinë në botë.
Në mësim, violinë me mamin tim, që ishte zysha ime e violinës në atë periudhë. Dhe mësimet e tjera pastaj në atë periudhë i bëja në Tiranë me Bert Papavramin, që ishte i ati i Tedi Papavramit dhe praktikisht këmbeheshin. Mama ime i jepte mësim Tedit, babai i Tedit i jepte mësim Olenit. Tedi Papavrami sigurisht është violinisti më i mirë klasik që unë kam parë që ekziston nga kombi shqiptar. Nuk është vetëm Bahu, por domethënë është muzika klasike që arrin, ka një parametër komplet ndryshe. Me Tedin jemi shumë shokë, unë e kam shumë xhan, është super tip. Ne nuk jemi miq, sepse praktikisht nuk është se dëgjohemi çdo ditë ose çdo muaj. Po kemi një prejardhje të përbashkët, domethënë jemi rritur nga, nga miq, domethënë prindërit tanë kanë qenë shumë miq. Kështu që ne njihemi që kalamaj. Pastaj ai ka jetën e vet, unë kam jetën time. Ai merret me muzikë klasike, unë merrem me muzikë të lehtë, jemi në dy botë të ndryshme.
Mama ime tani është 75 vjeç, pardje isha duke provuar një gjë te dhoma, edhe se mama tani është në Tiranë dhe unë këto ditë jam në Tiranë, domethënë kam bërë abone, Romë-Tiranë në këtë periudhë, shyqyr që ka avionë sa të duash. Dhe isha duke provuar pjesët e koncertit, këto të Pallatit të Kongreseve. Kapja jo një, që një notë që nuk mbërrinte... Edhe me karrocë kupton, që po bën rehabilitim se kishte pasur ca probleme. Edhe me karrocë avash avash erdhi aty, futi kokën te dera e tha, "Atë mi bemolin, tha, do ma ndryshosh ti apo s'do...?"
Mendoj që pa talent nuk e fillon dot këtë lloj pune, por pa vullnet dhe pa punë, këtë punë nuk e arrin kurrë. Kështu që është 90% punë dhe 10% talent. Po ai talenti, ai 10%-shi është fillimi. Është si puna e avionit që po nuk pati atë 10% nuk ngrihet. Në koncertet e mia ka vetëm gallatë. Njerëzit janë gati gjithë kohës në këmbë, gati gjithë kohës duke kërcyer, është fan moment, janë gjithmonë duke, duke u kënaqur. Të paktën publiku im po t'i shikosh, koncertet e tjera sepse kemi digjital, kemi mediatik. Kështu që unë e regjistroj dhe pastaj ja jap digjitalit, digjitali e kalon në të gjithë Shqiptarinë. Janë, po, po t'i shikosh, ke kalamaj nga katër, pesë vjeç që kërcejnë në ndonjë vend dhe ke zonja nga 80 vjeç që kërcejnë nga cepi tjetër. Domethënë, publiku është kotarisht homogjen.
Është Mirushi pothuaj afër fundit? Është gati gjashtë muaj para se të na lente. Mua më kishte dhënë një çmim presidenti italian, se vetëm italianët më kanë dhënë çmime. Shqiptarët nga Shqipëria s'kemi parë gjë. Ideja është që mora një çmim nga presidenti i Italisë, që quhesh Ylli i Italisë. Edhe kisha dy opsione, o ta merrja në Romë në Kuirinale nga Matarella, nga presidenti italian, ose ta merrja nga ambasadori italian që ishte në Shqipëri, që ishte super, super, super tip që quhesh Fabrizio Buçi. Dhe unë vendosa ta bëja në Tiranë këtë event, ta tërhiqja çmimin këtu. Dhe në atë moment kisha disa herë që flisja me Mirushin dhe doja ta ftoja nëpër gjëra, po Mirushi ishte shumë serioz prej atë që bëja unë te Pallati i Kongreseve. Unë gjithmonë marr komikë në Pallat të Kongreseve. Edhe i thashë, "Mirush, dëgjo," i thashë unë, "te koncerti im," i thashë unë, "kam nevojë për atë pesëminutësh, këtë herë kam marrë Zyliha Milotin. Herët e tjera kam marrë çunat më të rinj." Ikonë, është zonjë, është fantastike.