Syri TV raporton nga Prishtina: Rrugët 'pushtohen' nga tifozët, Kosova kërkon rezultatin historik
Një atmosferë elektrizuese ka pushtuar Prishtinën, teksa Kombëtarja e Kosovës po luan një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj. Stadiumi "Fadil Vokrri" është mbushur plot me tifozë që janë mbledhur për të mbështetur djemtë e Kosovës në këtë sfidë vendimtare. Pavarësisht se pjesa e parë përfundoi me një barazim pa gola, Kosova ka dominuar lojën me dy herë më shumë tentativa për të shënuar sesa kundërshtari i saj, Turqia.
Gazetari i Syri TV, Fatjon Gjinaj, raporton për Syri TV nga sheshi Skënderbeu në Prishtinë ku tregon atmosferën fantastike që ka zaptuar rrugët.
‘Atmosfera është magjike, ku qyteti ka shpërthyer në festë futbolli. Pjesa e parë u mbyll pa gola, por Kosova e ka mbajtur nën kontroll lojën, duke shfaqur dominim ndaj turqëve. Stadiumi "Fadil Vokrri" është plot, ndërsa sheshet kryesore si "Zahir Pajaziti" dhe "Ibrahim Rugova" janë të mbushura me tifozë të zjarrtë, që presin një rezultat historik."
Përveç tifozëve që kanë mbushur stadiumin, gjithashtu ka pasur një fluks të jashtëzakonshëm të shqiptarëve nga të gjitha trojet, me mbi 30,000 persona që kanë kaluar kufirin për të mbështetur Kombëtaren. Ky moment ka bërë që Prishtina të shndërrohet në një festë të vërtetë futbolli, ku të gjithë shpresojnë se një fitore do të hapte rrugën për një kualifikim historik në Botërorin e Amerikës.
Ky është një hap i madh për Kombëtaren e Kosovës, që ka grumbulluar 11 pikë nga 8 ndeshje deri tani, dhe shpresa për një kualifikim në një eveniment të madh botëror është më e gjallë se kurrë. Të gjithë shqiptarët janë bashkuar në këtë ngjarje të rëndësishme, duke shfaqur një unitet dhe pasion të papërshkrueshëm për futbollin.’-shprehet gazetari Gjinaj