Pedagogu kundër Edi Ramës: Hiqni taksën e qarkullimit, debatet janë të kota
Pedagogu Oltion Rrumbullaku ka reaguar publikisht ndaj deklaratës së sotme të Edi Ramës për heqjen e taksës së qarkullimit mbi karburantet, duke kundërshtuar argumentet se një vendim i tillë do të krijonte mungesa të mëdha në buxhet.
Sipas tij, edhe nëse kjo taksë hiqet, të ardhurat e tjera nga karburantet janë të mjaftueshme për të mbuluar investimet në infrastrukturë rrugore. Rrumbullaku thekson se aktualisht niveli i taksave mbi karburantet në Shqipëri është i tillë që mund të përballojë jo vetëm shpenzimet për rrugët brenda vendit, por edhe në disa vende të rajonit.
Ai shprehet se këto të ardhura do të mjaftonin për të mbuluar kostot vjetore të ndërtimit të rrugëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, madje duke lënë një tepricë simbolike edhe për Bosnjën.
Në reagimin e tij, pedagogu vë në pikëpyetje logjikën e debatit publik, duke e cilësuar të pabazë frikën se heqja e taksës së qarkullimit do të sillte pasoja të rënda financiare.
Reagimi i pedagogut Oltion Rrumbullaku:
Nëse sot hiqet taksa e qarkullimit mbi karburantet nuk nevojitet që të rritet katërfish asnjë taksë tjetër.
Përkundrazi!
Edhe nëse hiqet taksa e qarkullimit, përsëri taksat e mbetura mbi karburantet mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet për investimet në rrugë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë
Momentalisht taksat mbi karburantet në Shqipëri mund të mbulojnë të gjithë shpenzimet vjetore për ndërtimin e rrugëve në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, dhe në Mal të Zi, së bashku. Madje mbetet diçka edhe për Bosnjën
Shqipëria me taksat e veta mund të ndërtojë e vetme të gjithë rrugët e Ballkanit Perëndimor pa Serbinë. Nuk ndërton dot as të vetat
A ka ndonjë sens të vazhdohet me diskutime false sikur po të heqim këtë taksë bëhet nami?
Hiqni taksën e qarkullimit se latë nam.