Vagner Love i jep fund karrierës: Futbolli më dha gjithçka

Ish-sulmuesi brazilian, Vagner Love, ka vendosur t’i japë fund futbollit të luajtur, duke u tërhequr pas 24 vitesh karrierë profesionale. Ai e mbylli aventurën e tij në fushë me klubin brazilian Retrô, ndërsa lajmin e bëri publik vetë përmes një postimi emocional në rrjetet sociale.

“Sot është një nga ditët më emocionuese të jetës sime. Pas kaq shumë vitesh të jetuara intensivisht me futbollin, ka ardhur momenti të mbyll zyrtarisht karrierën time në fushë. Kanë qenë vite me sakrifica, përkushtim, gëzime të mëdha dhe sfida që më kanë bërë të rritem si sportist dhe si njeri,” shkroi ai.

Vagner Love kujtoi fillimet e tij modeste në Bangu dhe rrugëtimin e jashtëzakonshëm që e çoi të veshë fanella të rëndësishme, të shënojë gola vendimtarë dhe të fitojë trofe, duke fituar edhe dashurinë e tifozëve në çdo ekip ku ka luajtur.

“Dua të falënderoj Zotin dhe familjen time që më kanë qëndruar pranë në çdo moment, si dhe të gjitha klubet që kanë qenë pjesë e historisë sime. Faleminderit shokëve të skuadrës, trajnerëve, stafit dhe mbi të gjitha tifozëve. Çdo gol, çdo mbështetje, edhe në momentet e vështira, e kanë bërë këtë rrugëtim të vlefshëm,” shtoi ai.

Sulmuesi brazilian theksoi se largohet nga futbolli me zemër plot mirënjohje dhe me ndjesinë e detyrës së përmbushur. “Futbolli më dha gjithçka dhe unë jam përpjekur t’ia kthej me dashuri, përkushtim dhe gola. Dashuria ime për lojën në fushë përfundon këtu, por pasioni për futbollin do të vazhdojë përgjithmonë,” përfundoi ai.