Spanjë, zbulohet tuneli më i madh nëntokësor që transportonte kanabis nga Maroku në Spanjë
Një tunel mëntokësor i cili u lejonte trafikantëve të transportonin tonelata hashashi në mënyrë të sigurt, midis Marokut dhe Spanjës u zbulua nga policia spanjolle.
Tuneli ishte pajisur me shina dhe vagonë. Ministria e Brendshme spanjolle tha se operacioni policor, i cili zgjati më shumë se një vit, zbuloi labirintin si minierë, rrjeti i të cilit furnizonte rrëshirë kanabisi në të gjithë Spanjën dhe madje edhe në Evropë.
E gjithë struktura ishte e pajisur me shina, vagona, dhe vinça të vegjël për transportin e paletave të hashashit.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 27 persona dhe është sekuestruar shumë se 17 tonë drogë. Vala e arrestimeve kulmoi me arrestimin e njërit prej dy krerëve të bandës.
Organizata drejtohej nga marokeni Mustafá Brouzi, i cili ishte gjithashtu përgjegjës për një narkotunel të zbuluar në qytetin autonom një vit më parë. Ai ka lidhje familjare me “Mocro Maffia”.
Zbulimi i tunelit, i fshehur nën një magazinë industriale, u bë i mundur falë vëzhgimeve intensive ndaj të dyshuarve dhe nxori në pah se dizajni i sofistikuar i kësaj infrastrukture kriminale lejonte transportimin e sasive të mëdha të pakove me hashash pa pasur nevojë për kontakt të drejtpërdrejtë vizual mes pjesëmarrësve në trafikim. Për funksionimin e tij, organizata kishte instaluar sisteme pompimi dhe izolimi akustik që e mbanin strukturën në punë pa ngritur dyshime.
Zbulimi i kësaj galerie ishte kompleks edhe pasi autoritetet hynë në objektin nga ku nisej ajo. Fillimisht kishte një magazinë të madhe, me dy frigoriferë të mëdhenj dhe një zonë ku mblidhej hashashi dhe ku modifikoheshin makinat për t’u ngarkuar me drogë. Policët që kryen kontrollin vunë re se pajisjet, megjithëse shumë të rënda, lëviznin lehtë dhe kishin rrota, ndaj vendosën t’i zhvendosnin.
Në atë moment zbuluan një hapje në dysheme që lidhej me një magazinë të dytë, ku u zbulua infrastruktura. Nga hyrja e tunelit duhej zbritur përmes një pusi në një nivel të ndërmjetëm, ku grumbulloheshin pakot e hashashit në paleta përpara nxjerrjes së tyre në sipërfaqe, në atë që quhej “narkodepo”. Aty pakot përgatiteshin dhe magazinoheshin pasi ngriheshin, falë një sistemi vinçash dhe rrotullash të projektuar për të lëvizur ngarkesa të rënda, nga një nivel më i ulët, rreth 19 metra nën sipërfaqe.
Në këtë nivel fillonte një labirint i vërtetë, i ngjashëm me një minierë. Ai ishte i strukturuar në mënyrë të përkryer dhe vagonët lëviznin përmes një sistemi shinash me ndërtim kompleks, tipik për vepra inxhinierike të projektuara me saktësi.
Dy persona drejtonin organizatën: njëri nga Maroku, i arrestuar në natën e 26 marsit, i identifikuar si Mustafá Brouzi. Ai konsiderohet si lideri absolut i rrjetit kriminal, “narkoarkitekti” dhe “padroni i tuneleve”, si dhe i dyshuar si përgjegjës për tunelin tjetër të zbuluar vitin e kaluar. Tjetri është nga Ceuta.
Gjatë bastisjeve u sekuestruan 1,4 milionë euro para në dorë, së bashku me 17 makina luksoze. Spanja është një pikë e rëndësishme hyrëse për trafikun e drogës në Evropë për shkak të afërsisë së saj me Marokun, një nga prodhuesit kryesorë të kanabisit në botë.