“Ndoshta sot mund të ishim dy… por edhe kështu, jemi një’, mesazhi i presidentit të FSHF-së për Kosovën

 Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka përcjellë një mesazh të ndjerë për Kombëtaren e Kosovës, në prag të përballjes vendimtare ndaj Turqisë.

Në një reagim në rrjetet sociale, ai ka vënë në pah lidhjen e fortë shpirtërore dhe kombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar se, pavarësisht se përfaqësohen në dy skuadra të ndryshme, ndjenja e përbashkët mbetet e njëjtë.

“Ndoshta sot mund të ishim dy… por edhe kështu, jemi një. Me krenarinë që na dha Shqipëria dhe shpresën që na jep Kosova. Forca djemtë tanë!”, ka shkruar Duka, duke dhënë një mesazh të fuqishëm uniteti dhe mbështetjeje.

Ky reagim vjen në një moment shumë të rëndësishëm për përfaqësuesen kosovare, e cila është pranë një arritjeje historike në arenën ndërkombëtare, duke synuar kualifikimin në Kupën e Botës 2026.