Pa Rrahmanin në fushë, por me zemër në stadium, kapiteni motivon Kosovën me legjendën Vokrri

Kombëtarja e Kosovës do të zbresë këtë të martë në një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj, përballë Turqisë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Megjithatë, “Dardanët” do të duhet të përballen me një mungesë të madhe në këtë sfidë vendimtare.

Kapiteni Amir Rrahmani nuk do të jetë i gatshëm për këtë duel, pasi një lëndim i pësuar me Napolin e ka lënë jashtë fushës, duke munguar kështu si ndaj Sllovakisë, ashtu edhe në këtë përballje ndaj Turqisë. Një goditje e rëndësishme për përfaqësuesen, duke ditur rolin dhe eksperiencën e tij në prapavijë.

Megjithatë, mbrojtësi nuk do të mungojë plotësisht. Ai do të jetë i pranishëm në stadium për të mbështetur nga afër bashkëlojtarët, duke dhënë një shtysë morale në një moment kaq vendimtar.

Pak para fillimit të ndeshjes, Rrahmani ka ndarë në rrjetet sociale një fotografi domethënëse të Fadil Vokrri, ku në sfond shihet fanella e tij me numrin 13. Përmes këtij gjesti, kapiteni ka shprehur respektin dhe mirënjohjen për figurën historike që pati rol kyç në pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare si UEFA dhe FIFA.

Sfida mes Kosovës dhe Turqisë nis në orën 20:45 dhe pritet të jetë një mbrëmje emocionesh të mëdha për futbollin kosovar.