‘Larg integrimit’, Xhixho: Qeveria organizatë kriminale, ‘Balluku’ dhe kartelet minojnë procesin

Zv presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho ka qenë e ftuar në edicionin e mesditës në Syri tv me moderatorin Arnold Kariqi.

Ajo deklaroi se takimi i një ditë më parë i Ramës për integrimin ishte vetëm për tu hedhur hi syve shqiptarëve.

Raporti IBAR është i rëndësishëm pasi pa u miratuar ky raport nuk mund të vijohet me procesin e integrimit. Për Shqipërinë ky raport nuk është miratuar. Sipas deputetes së PL, Shqipëria është shumë larg BE.

Kthimi i parlamentit në një mburojë politike për hetimet ndaj zyrtarëve të lartë është njëra nga shkaqet e ndalimit të procesit të integrimit. Testi Balluku nuk u kalua tha Erisa Xhixho. Mbrojtja për Ballukun ishte një mbrojë për veten e tij.

Me poshtë gjatë intervistës Xhixho vlerësoi se, “në një kohë kur qytetarët shqiptarë po përballen me një rritje galopante të çmimeve të karburanteve dhe produkteve të shportës, qeveria akuzohet se po pasurohet nga kjo krizë, duke mbledhur më shumë të ardhura ndërsa u refuzon qytetarëve ndihmën ekonomike.

Sipas deputetes së PL shteti po funksionon si një “grup i strukturuar kriminal” dhe ka denoncuar një skandal në shëndetësi, ku mungesa e fondeve bën që analizat mjekësore në QSUT të ndërpriten pas datës 20 të çdo muaji.

Për të lehtësuar barrën mbi qytetarët, Partia e Lirisë ka propozuar pezullimin e taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit. Sipas saj, qytetarët paguajnë dy herë për mirëmbajtjen e rrugëve: një herë në kolaudim dhe një herë në çdo litër karburant. Heqja e kësaj takse sipas deputetes, do të kishte një efekt të menjëhershëm në uljen e çmimit.

Erisa Xhixho: Çdo zyrtar siç thoshte kryeministri, që ka një hetim nuk duhet të ketë mbrojtje politike, përgjegjësia është personale. Këto i ka thënë kryeministri, nuk i kemi thënë ne. Por te AKSHI është organizatë kriminale qeveria. Pra, në momentin që e thoshte opozita që kemi një parti politike që bashkëpunon me krimin e organizuar, që kemi deputetë të krimit të organizuar, që kemi sot në parlament deputetë që nuk justifikojnë votat e tyre që kanë marrë, që kanë marrë vota më shumë se kryeministri, kjo aferë me pengmarrjen, ku shteti, policia e shtetit është vënë në funksion për të marrë peng sipërmarrës, ku absolutisht, AKSHI është përdorur si një mekanizëm për të zhvatur, paratë e qytetarëve shqiptarë, kemi pjesën që të qajmë hallin tani se drejtoresha ka apo s'ka shtëpi.

Arnold Kariqi: E konceptojnë dot këta qytetarët që të gjithë këta qeveritarë janë me vila nëpër bregdet apo harrojnë deri në zgjedhje?

Erisa Xhixho: Unë mendoj që qytetarët shqiptarë e vuajnë vetë keqqeverisjen dhe absolutisht pakënaqësia dhe ndërgjegjësimi i tyre do të duhet të rritet.

Këtu kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal dhe do të duhet ndërgjegjësimi i të gjithë qytetarëve që të kuptojnë që kur i vidhet prona, që kur rritet nafta dhe nuk ka asnjë masë, që kur rriten çmimet e shportës dhe qeveria dorëzohet thotë nuk kam sepse është ekonomi tregu, unë nuk ndërhyj. Ndërkohë që rajoni, ndërkohë që vendet e tjera marrin masa.

Po ti ke skandalin më të fundit që unë e kam denoncuar që në dhjetor, që kam kërkuar interpelancë me ministren e Shëndetësisë, ku deri me datë 20 të çdo muaji kryhen analiza në QSUT. Mbas asaj date nuk kryhet asnjë analizë. Pra në qoftë se sëmuresh sot, me 31, shtrohesh në spital, nuk ka analiza. Po në disa spitale ndodh vetëm 15 ditë. Pra, bëhen vetëm 15 ditë analiza, 15 ditëshin tjetër nuk bëhen analiza. Dhe çfarë thotë ministrja? Nuk ka fonde. Po me kë tallen?

Se tani Kopshti i Eden vetëm për qejfin e kryeministrit janë nja 4.2 milionë euro i kemi lënë aty. Mos flasim për tunelin e Llogarasë, nja 50 milionë euro, inceneratorët nja 450 milionë euro e ato rrugët e Floririt atje 3.8 miliardë euro.

Arnold Kariqi: Pra ka para, por jo për popullin.

Erisa Xhixho: Para ka. Pra kjo duhet sqaruar te qytetarët. Se qytetarët ndonjëherë nga propaganda e madhe, mungesa e medias së lirë e të tjerë me radhë, bien në këtë grackën që ja se po mundohet kryeministri, ja po bën atë bordin e vjedhjes për naftën e të tjerë me radhë sepse nuk ka fonde. Jo, paratë janë. Çështja është që nuk shkojnë asnjëherë për shëndetin e qytetarëve. Sot që flasim duhet të kuptojmë që ky buxhet shteti dhe kjo qeveri po pasurohet. Me çmimin e naftës që të ka shkuar 218 lekë...