Rubio: SHBA-të mund ta rishqyrtojnë anëtarësimin në NATO pas përfundimit të luftës
Marco Rubio, sekretari amerikan i Shtetit, ka kritikuar Spanjen dhe disa aleatët e tjerë të NATO-s për atë që ai e cilëson si mbështetje të kufizuar në konfliktin me Iranin. Ai paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara mund të rishqyrtojnë marrëdhëniet brenda aleancës pas përfundimit të luftës.
Sipas deklaratave të publikuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Rubio tha se Spanja, si vend anëtar i NATO-s, nuk u lejoi Shteteve të Bashkuara të prdornin hapësirën e saj ajrore dhe madje është mburrur me këtë vendim.
Ai shtoi gjithashtu se Uashingtoni ka hasur në pengesa për përdorimin e bazave ushtarake në territorin spanjoll dhe në vende të tjera aleate.
Rubio theksoi se NATO mbetet e rëndësishme për SHBA-në, pasi u mundëson vendosjen e trupave dhe pajisjeve ushtarake jashtë vendit. Megjithatë, ai ngriti shqetësime për balancën e angazhimeve brenda aleancës.
“Është e vështirë të qëndrojmë të përkushtuar nëse aleanca funksionon vetëm në një drejtim”, u shpreh ai, duke shtuar se marrëveshja aktuale duhet të rishikohet.
Ai theksoi se NATO “nuk mund të jetë një rrugë me një kah”, duke lënë të kuptohet se pas përfundimit të konfliktit do të ketë diskutime të mëtejshme për rolin dhe detyrimet e aleatëve.
Edhe Donald Trump, presidenti amerikan, ka kritikuar vazhdimisht aleatët e NATO-s për atë që ai e konsideron si mbështetje të pamjaftueshme në këtë konflikt. Megjithatë, neni 5 i NATO-s për mbrojtjen kolektive nuk zbatohet në këtë rast, pasi lufta kundër Iranit është nisur nga SHBA dhe Izraeli.