Policia çeke arrestoi një të dyshuar për sulmin në Qendrën Kulturore Ruse në Pragë

Policia çeke njoftoi sot se ka arrestuar shtetasin e huaj i cili mori përgjegjësinë për sulmin me koktej molotovi në Qendrën Kulturore Ruse në Pragë javën e kaluar.

Në deklaratë thuhet se i dyshuari u dorëzua në polici të hënën dhe pranoi se e kishte planifikuar sulmin që nga viti i kaluar.

Kombësia e të dyshuarit nuk është bërë e ditur.

Incidenti në Pragë ndodhi të enjten dhe fotot tregojnë një dritare të thyer, ndërsa dy dritare dhe një mur i ndërtesës ishin pjesërisht të mbuluara nga tymi, por ndërtesa nuk u përfshi nga flakët.Drejtori i Qendrës Kulturore Ruse, Igor Girenko, i tha agjencisë ruse të lajmeve Tass se gjashtë kokteje Molotov u hodhën drejt ndërtesës, por vetëm tre shpërthyen.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, vlerësoi se ky incident ishte një "akt barbar", dhe Ambasada Ruse në Pragë u kërkoi autoriteteve çeke të rrisin sigurinë e institucioneve ruse.

Ministria e Jashtme çeke e dënoi sulmin.