‘Shkelje e barazisë në tendera’/ Caktohet treshja e gjyqtarëve për kryebashkiakun e PS, Benet Beci
Gjyqtarja Elsa Ulliri është caktuar përmes shortit për të gjykuar kryebashkiakin e Shkodrës Benet Becin, që akuzohet për shkelje të barazisë në tendera.
Sipas burimeve për SYRI-n nga gazetari Fatjon Gjinaj, mësohet se Ulliri është caktuar gjyqtare relatore, ndërsa anëtarë janë gjyqtarët Besmir Stroka e Irena Gjoka.
Bashkë me Becin të pandehur janë marrë edhe 6 bashkëpuntorët e tij. Kjo treshe gjyqtaresh do të vendos edhe për kërkesën e të pandehurve për t’u gjykuar me gjykim të shkurtuar, kërkesë kjo e relatuar në seancën e fundit të zhvilluar në GJKKO.
Sipas SPAK, Beci ka shkelur barazinë mes operatorëve në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019 me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjetik” me vlerë 96.5 milion lek.
Hetimi është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, pas sekuestrimit të provave materiale në banesën e Evis Berberit, bashkëshortja e të cilit është nën akuzë në dosjen ndaj Becit.