Skandal në klinikat IVF: Familjeve britanike u dhanë spermë të gabuar, fëmijët pa lidhje biologjike
“Ishte shumë shpejt pasi lindi James që e kuptova se diçka nuk shkonte,” thotë Laura.
Ajo dhe partnerja e saj, Beth, kanë dy fëmijë – James dhe vajzën e madhe Kate – të dy të konceptuar përmes trajtimit IVF në një klinikë në Qipron Veriore të pushtuar nga Turqia.
Dy gratë përdorën vezët e tyre dhe zgjodhën me kujdes një donator anonim dhe të shëndetshëm sperme. Ato i thanë klinikës, e cila porositi spermën për to, se ishte e rëndësishme që i njëjti donator të përdorej për të dy foshnjat – në mënyrë që fëmijët e tyre të kishin lidhje biologjike.
Por kur lindi James, ato vunë re se sytë e tij “të bukur” kafe ishin shumë ndryshe nga ata të nënës biologjike, Beth, dhe nga donatori i spermës që familja kishte zgjedhur. Kjo ngriti dyshime: “A kishte bërë klinika jonë një gabim?”
Pas gati një dekade shqetësimi, Beth dhe Laura vendosën që fëmijët e tyre të bënin një test ADN-je. Rezultatet treguan se asnjëri prej fëmijëve nuk kishte lidhje me donatorin e spermës që prindërit kishin zgjedhur. Madje, provat sugjeronin se fëmijët nuk kishin lidhje as me njëri-tjetrin.
“Ndjesia e ankthit ishte se diçka kishte shkuar shumë keq dhe çfarë do të thoshte kjo për fëmijët?” thotë Beth.
BBC News ka folur me familjet e shtatë fëmijëve që besojnë se gjatë trajtimit IVF janë përdorur donatorë të gabuar sperme ose veze. Shumica e këtyre familjeve kanë bërë teste komerciale të ADN-së që duket se konfirmojnë frikën e tyre.
Të gjitha rastet lidhen me klinika në Qipron Veriore – një territor ku ligjet e Bashkimit Evropian nuk zbatohen dhe që njihet ligjërisht vetëm nga Turqia.
Qiproja Veriore është bërë një nga destinacionet më të njohura për britanikët që kërkojnë trajtim fertiliteti jashtë vendit, thonë ekspertët. Klinikat atje kanë rregullim të dobët dhe premtojnë çmime të ulëta dhe norma të larta suksesi.
Ato ofrojnë një gamë të gjerë donatorësh anonimë nga e gjithë bota, duke i bërë veçanërisht tërheqëse për persona me probleme fertiliteti, komunitetin LGBT apo individë beqarë që nuk kanë të njëjtat mundësi në vendet e tyre.
Në rrjetet sociale ka shumë video dhe foto të prindërve që ndajnë përvoja pozitive.
Klinikat në Qipron Veriore ofrojnë gjithashtu procedura që janë të paligjshme në Britani, si përzgjedhja e gjinisë për arsye jo mjekësore. Ministria e Shëndetësisë e territorit mbikëqyr klinikat, por nuk ka reaguar ndaj gjetjeve të BBC-së.
“Menduam se kishim porositur spermë nga Danimarka”
Ndërtimi i besimit me familjet mori muaj. BBC punoi ngushtë me Beth, Laura, Kate dhe James për të ndarë historinë e tyre.
Beth dhe Laura vendosën të krijonin familje në vitin 2011. Ato zgjodhën qendrën Dogus IVF në Qipron Veriore. Koordinatorja e pacientëve në atë kohë, Julie Hodson, u tha se klinika mund të importonte spermë të ngrirë nga banka më e madhe në botë, Cryos International në Danimarkë.
Çifti u impresionua nga donatorët anonimë, të cilët kishin kaluar kontrolle të plota shëndetësore dhe psikologjike.
Ato zgjodhën një donator të quajtur “Finn” – një danez që e përshkruante veten si të shëndetshëm, që pinte rrallë dhe nuk pinte duhan.
Në një shënim të shkruar me dorë, Finn thoshte se motivimi i tij ishte “të sillte jetë dhe lumturi për të tjerët”.
Beth dhe Laura mendonin se ky profil do t’u jepte qetësi fëmijëve të tyre në të ardhmen.
“Ndonim që ishte shumë e rëndësishme që fëmijët tanë të kishin një ide se kush ishte donatori,” thotë Beth.
Finn kishte karakteristika fizike të ngjashme me çiftin – sy të çelët dhe flokë kafe.
“Pyetëm koordinatoren çfarë duhet të bënim për të porositur spermën e Finn-it,” kujton Laura. “Ajo tha: ‘Doktoresha Firdevs do ta porosisë për ju.’ Kaq.”
Trajtimi IVF u krye nga Dr Firdevs Uguz Tip.
Nëntë muaj më vonë, Laura lindi Kate.
Kur donin fëmijën e dytë, u kthyen dhe kërkuan sërish Finn-in. Këtë herë, Beth lindi James.
Trajtimi u kushtoi rreth 16,000 paund, ndërsa sperma e Finn-it kushtoi 2,000 paund.
Por sytë e errët, flokët e errët dhe lëkura e James i bënë prindërit dyshues. Pas vitesh, ata vendosën të bënin test ADN-je.
Rezultatet treguan se asnjëri fëmijë nuk ishte konceptuar me spermën e Finn-it dhe se ata nuk kishin lidhje biologjike mes tyre.
Rezultatet i lanë prindërit “jashtëzakonisht të zemëruar” dhe me shumë pyetje pa përgjigje.
BBC zbuloi edhe familje të tjera me dyshime të ngjashme. Ekspertët thonë se një gabim i tillë është shumë i rrallë, por përsëritja e tij mund të tregojë neglizhencë ose mashtrim.
“Është një situatë e tmerrshme për pacientët,” thotë një ekspert britanik i fertilitetit.
Sot, fëmijët e Beth dhe Laura e dinë të vërtetën.
“Identiteti është gjëja kryesore – është ajo që je si person,” thotë James.
Megjithatë, kjo nuk ka ndryshuar dashurinë mes tyre.
“Ne jemi rritur bashkë. Jemi ende familje, edhe nëse jo nga gjaku,” thotë Kate.
“Ne kemi dy fëmijë të mrekullueshëm,” thonë Beth dhe Laura. “Në fund të fundit, gjithçka do të jetë në rregull.”