‘Rama gënjen për integrimin’, Peka: Paratë e investimeve janë vjedhur, Shqipëria mund të presë deri në vitin 2050…
Udhëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian duket se po merr një tjetër kthesë, duke i lënë vendin një realiteti të zymtë, larg premtimeve optimiste për anëtarësim të shpejtë. Pasaporta evropiane, e premtuar me bujë, tani shfaqet si një objektiv i largët, i kushtëzuar me afate që shtyhen deri në vitin 2040, e madje deri në 2050 për përmbushjen e disa standardeve thelbësore, siç është ai i trajtimit të ujërave të zeza.
I ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv, drejtuesi i Departamentit të Sigurisë në PD Avenir Peka tha se, në një kohë kur kryeministri Rama vijon të flasë publikisht për plane që synojnë vitin 2027, prapaskena politike zbulon një panoramë kontradiktore’.
Nga njëra anë, vërehen lëvizje si një "marrëdhënie e rigjetur" me presidentin serb Vuçiç dhe "përpjekje të dëshpëruara" për të hapur rrugë të reja komunikimi me Berlinin, ndërsa nga ana tjetër, procesi i negociatave mbetet i bllokuar në pika kritike.
Ecuria 23-vjeçare e Shqipërisë, që nga Samiti i Selanikut në 2003, ka ngecur në sfida të shumta. Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, Peka tha se një nga pengesat kryesore është kapitulli i drejtësisë, i cili u pezullua pas rastit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Sipas zërave nga Brukseli, Komisioni Evropian e bëri të qartë se dhënia e dritës jeshile për progres ishte e lidhur drejtpërdrejt me vënien e zyrtarëve të lartë përpara përgjegjësisë penale, një kusht që duket se u anashkalua.
Një tjetër problem madhor është menaxhimi i fondeve publike. Gjatë viteve të fundit, një buxhet prej rreth 12 miliardë eurosh, i destinuar për investime publike, është përqendruar në projekte infrastrukturore të diskutueshme si tunele dhe unaza, duke lënë pas dore investimet jetike që kërkon BE-ja. Mungesa e fondeve për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza ka bërë që qeveria të kërkojë shtyrjen e afateve deri në vitin 2050, një situatë e papranueshme për një vend kandidat që ende sot derdh ujërat e ndotura në lumenj dhe dete.
Kjo qasje ka bërë që premtimet për mbylljen e negociatave brenda dy vitesh, të bëra gjatë fushatës së fundit elektorale, të tingëllojnë si një "gënjeshtër elektorale". Negociatat me BE-në nuk janë pazare politike, por një proces teknik ku qeveria duhet të zbatojë një listë të qartë detyrash për të përmbushur 33 kapitujt e legjislacionit evropian.
Përballë një vullneti gjeopolitik të BE-së për të integruar Ballkanin Perëndimor, Shqipëria rrezikon të humbasë një mundësi historike për shkak të dështimit për të luftuar korrupsionin dhe për të vendosur prioritetet e duhura. Rruga drejt Europës nuk është më çështje vullneti nga Brukseli, por një test real i aftësisë së qeverisë shqiptare për të kaluar nga fjalët te veprat.
Flavio Qarri: Praktikisht me sa duket e kemi harruar atë premtimin e 11 majit për Edin dhe pasaportën evropiane dhe jo vetëm kaq, por edhe sikur të ndodhë pasaporta evropiane do të jetë me kushte që zgjasin të paktën deri në 2040-ën ose në disa raste të tjera, si për shembull trajtimi i ujërave të zeza, deri në 2050-ën për t'u quajtur vërtetë Evropë. Tani ta fillojmë pak nga disa deklarata që janë kontradiktore zoti Peka. Marrëdhënie e rigjetur me Vuçiçin, përpjekje e dëshpëruar për t'i dërguar letër Berlinit për një rrugë të re integrimi dhe nga ana tjetër vazhdon në hapësirën publike të brendshme, kryeministri flet sikur vazhdon plani për 2027-ën. Çfarë po bën kryeministri Rama?
Avenir Peka: Kryeministri Rama po gënjen, çfarë po bën.
Flavio Qarri: Po nejse, nuk është hera e parë, por si po gënjen këtë radhë duam të kuptojmë.
Avenir Peka: Në, në vitin 2003, në samitin e Selanikut, Bashkimi Evropian përcaktoi një hartë të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Që do të thotë 23 vjet më përpara. Pra këto 23 vjet, tetë vjet ka qeverisur Partia Demokratike, 15 vjet ka qeverisur PS-ja, Partia Socialiste. Në elementët që përmendi ju, përveç institucioneve të drejtësisë, janë edhe investimet publike. Kanalizimet, ujërat e zeza, ujërat e bardha, riciklimi, mbetjet e paketimit siguria ushqimore. Sigurisht. Pse duhet të marri 10 vjet siguria ushqimore? Çfarë ka për të marrë 10 vjet siguria ushqimore? Siguria ushqimore është AKU-ja. AKU-ja kontrollon. 33 kapitujt janë 33 fusha të qeverisjes, të cilat duhet të arrijnë një standart të caktuar. Brenda një afati të caktuar.
Flavio Qarri: Tani, faleminderit që e sqaruat këtë, se është kështu pak duket si terminologji abstrakte kur e përmendin ata.
Avenir Peka: Jo, ta them unë. Marrim rastin e drejtësisë. Rasti i drejtësisë, kapitulli i drejtësisë ka dy komponentë. Komponenti i parë është hartimi i legjislacionit, reformat, gjithë sistemi i gjykatave, efiçenca e gjykatave, pjesa e organizimit. Elementi tjetër është performanca, produkti që japin. Dhe produkti që japin është sistemi në vetvete, që është funksional, që gjyqet të vazhdojnë, që nuk ka korrupsion, edhe që zyrtarët arrestohen, hetohen, gjykohen.
Dhe ky kapitull ishte më i pari për t'u mbyllur. Jo vetëm që s'u mbyll, por u pezullua. U pezullua sepse e pezulloi ky me rastin e Belinda Ballukut. Po. Edhe i thanë Bashkimi Evropian, Gjermania, Komisioni Evropian, edhe ajo shoqja e vet Kos i tha që, që të marrësh dritën jeshile për t'u mbyllur, se ky raporti i ndërmjetshëm, i ndërmjetshëm është, IBAR, është për t'i thënë që po janë arritur standartet. Dhe sigurisht që standartet nuk janë arritur. Por, për të treguar një shenjë që po ecet në këtë drejtim, personi numër dy më i rëndësishëm në qeveri pas Ramës, Belinda Balluku, ndiqet penalisht edhe i lihet dorë drejtësisë për të operuar. Ky e ndaloi atë. Iku kjo.
E dyta, fushatën që bëri vjet, fushatën zgjedhore, e bëri fushatën zgjedhore me anëtarësimin e Shqipërisë. Po. Dhe premtoi që për dy vjet do mbylleshin negociatat për kapitujt. Negociatat për kapitujt nuk janë pazare që bën Rama me Belindën e me këta tjerët. Negociatat për kapitujt është, ulen me Bashkimin Evropian, me qeverinë shqiptare, hapin letrat... Hapin letrat dhe i thotë do bësh një, dy, tre, katër, pesë. Dhe këto që të themi që t'i bësh, do t'i bësh në letër dhe do t'i zbatosh. Dhe në momentin kur ne të konkludojmë që do t'i zbatosh, kemi mbyllur këtë kapitull, kalojmë te kapitulli tjetër.
Dhe kështu me radhë, për 33 kapituj. Dhe ky thotë që këto 33 kapituj, unë do i mbyll për dy vjet. Tani ka ngelur një vit e gjysëm. Deri në fund të vitit tjetër. Pastaj është Komisioni Evropian, qeveritë evropiane, janë parlamentet evropiane... Për të kapur 2029-ën. Duke qenë se këto nuk i arrin, se edhe këto me tolerancë të madhe? Edhe këto me tolerancë të madhe. Por ka një arsye gjeopolitike që e duan Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian. Dhe arsyen gjeopolitike ne e dimë. Lufta në Ukrainë, ka arsye.
Dhe tani, nga sa vjet i bëri Belinda Balluku ministre që mbulon infrastrukturën? Ajo ka pasur një buxhet prej 12 miliardë euro në këto vite për investime publike. Dhe këto 12 miliardë për investime publike, çfarë i ka çuar te ky tuneli atje, çfarë i ka çuar këtu te kjo unaza, i ka çuar te kjo autostrada 20 km që ka bërë 400 e ca milionë euro, dhe nuk i kanë ngelur lekë për të bërë as ujësjellës-kanalizime dhe as ujërat e zeza. Pa qenë fare çështja e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në 2026-ën është turp që në Golem akoma vazhdojnë dhe hidhen ujërat e zeza në det, Dhe ajo çfarë i kërkon Bashkimi Evropian i thotë që këto ujëra të zeza përpunoi dhe mos hidh ujërat të zeza. Dhe këta që duhet të anëtarësohen në 2030-ën, që duhet të mbyllin negociatat, këta s'kanë lekë për ta përfunduar deri në 2050-ën. Prandaj i kërkojnë shtyrje, s'kanë lekë për ta përfunduar deri në 2050-ën. Pse? Se i kanë vjedhur lekët. Se i kanë vjedhur lekët….