Sisi: Vetëm Trump mund ta ndalë luftën, mund të shtrenjtohet sërish nafta!

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, i bëri thirrje të hënën homologut amerikan, Donald Trump, që ta ndalë luftën kundër Iranit, duke thënë se vetëm ai mund të bëjë një gjë të tillë, dhe paralajmëroi se frika se çmimi i naftës mund të shkojë në mbi 200 dollarë për fuçi nuk është e ekzagjeruar.

“Unë i them presidentit Trump: askush nuk mund ta ndalë luftën në rajonin tonë në Gjirin [Persik] përpos jush. Ju lutem, zotëri president, ju lutem. Ju lutem që të na ndihmoni ta ndalim luftën. Ju jeni në gjendje që ta bëni këtë” – tha presidenti egjiptian në Panairin e Energjisë në Kajro, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Egjipti, shtet që për një kohë të gjatë ka marrë ndihma ushtarake nga Shtetet e Bashkuara si dhe përkrahje nga shtetet e pasura të Gjirit Persik, i ka dënuar sulmet iraniane ndaj këtyre vendeve dhe i ka shtyrë përpara përpjekjet diplomatike për shmangien e një lufte më të gjerë rajonale.

Sisi paralajmëroi në konferencë se lufta do të nxisë shok të dyfishtë me mungesë dërgesash dhe rritje çmimesh, efekti i plotë i të cilave nuk është ndier ende.

“Kam frikë se shënjestrimi i objekteve të energjisë, qoftë prodhimi apo rafineritë, do të ketë pasoja shumë serioze për ekonominë globale dhe çmimet e naftës” – tha ai, duke shtuar se vëzhguesit e tregut kanë paralajmëruar se “çmimi për një fuçi naftë mund të shkojë në mbi 200 dollarë dhe ky nuk është ekzagjerim”.

Sisi gjithashtu paralajmëroi për një krizë në ardhje të dërgesave globale të ushqimit, duke theksuar se pengesat ndaj eksporteve të plehut artificial do të kenë ndikim të madh në çmime.

“Shtetet e pasura mund të jenë në gjendje që ta përballojnë këtë, por për ekonomi të brishta dhe me të ardhura mesatare, kjo mund të ketë një ndikim shumë, shumë të ashpër në stabilitetin e tyre” – tha më tej presidenti egjiptian.

Sisi i dha merita Trumpit për përfundimin e luftës në Gaza, duke vënë në pah se ai gjithashtu kishte thënë se vetëm presidenti amerikan mund ta ndalte konfliktin para se të nënshkruhej marrëveshja e armëpushimit në qytetin egjiptian, Sharm el-Sheikh, në nëntor.