‘Spiuni’ italian ndez polemikat para Bosnjë-Itali, reagon ushtria
Vetëm pak orë para ndeshjes vendimtare mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Italisë për një vend në Kupën e Botës 2026, tensioni është rritur ndjeshëm për shkak të një episodi të pazakontë.
Media boshnjake hodhën akuza për praninë e një “spiuni” italian në stërvitjen e kombëtares vendase, duke pretenduar se një ushtar i misionit ndërkombëtar EUFOR kishte filmuar seancën stërvitore të lojtarëve të Bosnjës, përfshirë edhe kapitenin Edin Džeko. Sipas raportimeve, ushtari ndodhej pranë fushës dhe kishte qëndruar aty edhe pas 15 minutave të para të stërvitjes, të cilat ishin të hapura për publikun.
Ky lajm shkaktoi menjëherë reagime dhe polemika të forta, duke ndezur edhe më shumë atmosferën përpara përballjes së rëndësishme. Megjithatë, burime nga mbrojtja italiane reaguan shpejt për të qetësuar situatën, duke mohuar kategorikisht çdo pretendim për spiunazh.
Sipas tyre, bëhej fjalë thjesht për një ushtar italian që ndodhej në bazën ushtarake pranë fushës dhe po vëzhgonte stërvitjen, pa asnjë qëllim të fshehtë apo aktivitet të paligjshëm.
Ngjarja, megjithatë, ka shtuar edhe më shumë tensionin në prag të një sfide që pritet të jetë vendimtare për fatet e të dyja kombëtareve në rrugën drejt Botërorit.