‘Qeveria, armike e qytetarëve’, Balliu: Besnike e mafies dhe krimit të organizuar!
Nga foltorja e Kuvendit ligjvënësi demokrat, Klevis Balliu akuzoi qeverinë, si një “armike e interesave të qytetarëve” dhe “besnike të mafies dhe krimit të organizuar”.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balliu tha se qeveria jo vetëm ka dështuar të adresojë problemet e vendit, por është kthyer në pengesën kryesore të së ardhmes europiane të Shqipërisë.
Duke iu referuar raporteve ndërkombëtare, nga Departamenti Amerikan i Shtetit deri te Antimafia Italiane, Balliu tha se problematikat e thella në vend nuk janë më vetëm pretendime të opozitës, por fakte të dokumentuara.
Mungesa e zgjidhjeve nga ana e ekzekutivit nuk shihet si paaftësi, por si një strategji e qëllimshme, ku “inkriminimi i policisë së shtetit”, përdoret si një mjet për të zgjidhur hallet e vetë pushtetit, theksoi Balliu.
Integrimi në Bashkimin Europian, shtoi ndër të tjera ligjvënësi demokrat, është “kurbani” i madh i kësaj qeverisjeje.
Për sa kohë që qeveria e Edi Ramës do të jetë në krye, nuk do të ketë integrim, u shpreh Balliu, pasi ky proces sipas tij, po sakrifikohet për të “shpëtuar kokën e Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe gjithë hajdutëve të tjerë”.
Nuk flet opozita, po për hir të së vërtetës, flasin raportet ndërkombëtare, nga ai i departamentit amerikan të shtetit e deri tek antimafia italiane, për të cilat kjo qeveri në gjithë këtë kohë nuk ka sjellë asnjë zgjidhje. Pse nuk kanë sjellë zgjidhje? Se në fakt ata inkriminimin e policisë së shtetit e kanë zgjidhje për hallet e tyre. Kjo është një qeveri që çdo ditë faktohet dhe zyrtarizohet që nuk ka më kohë të merret me hallet e qytetarëve. Prandaj nuk sheh ndonjë nga këto të flasi për çmimin e naftës, për mungesën e ilaçeve nëpër spitale.
Po i shikon të gjithë duke u marrë me emërime apo me ndryshime nëpër drejtoria dhe nëpër kabinet, që të plotësohen kriteret e Belinda Ballukut si për të garantuar Belindën që të lutem mos fol, të lutem mos thuaj që më urdhëroi Rama, të lutem mos më thuaj që te turqit më çoi Rama. E gjithë misioni i një qeverie sot është kthyer në një armike ndaj interesave të qytetarëve dhe ndër një besnike ndaj interesave të mafias dhe të krimit të organizuar. Dhe për të gjithë ata që flasin me dëngla për integrimin në Bashkimin Europian, është e garantuar që për sa kohë të jetë qeveria e Edi Ramës në krye, nuk ka integrim.
Sepse ju e bëtë kurban integrimin për të shpëtuar kokën e Edi Ramës dhe të Lubi Ballukut dhe të gjithëve hajdutëve me radhë që sot drejtojnë Partinë Socialiste. Kush do të bëjë një hap konkret apo serioz për integrim në Bashkimin Europian, duhet ta fillojë me denoncimin e Edi Ramës sepse është ai pengesa e vetme. Të gjithë aleatët janë mbështetje e Shqipërisë për t'u integruar në BE, po ka vetëm një armik të integrimit dhe ai është Edi Rama.