Sylvinho: Nuk ka ndeshje miqësore, ndaj Ukrainës mund të ndryshoj vetëm 3-4 lojtarë

Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, ka dalë në konferencë për shtyp në prag të përballjes ndaj Ukraina, duke analizuar momentin e skuadrës pas eliminimit nga Polonia dhe pritshmëritë për ndeshjen e radhës. Tekniku brazilian theksoi se, pavarësisht se bëhet fjalë për një takim miqësor, qasja e tij mbetet serioze dhe me fokus të plotë, ndërsa pritet një sfidë e vështirë ndaj një kundërshtari cilësor.

Si do ta vlerësonit rrugëtimin e Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit?

Është e vështirë të diskutosh për të kaluarën kur kemi një ndeshje të rëndësishme përpara. Kemi pasur një rrugë të gjatë deri këtu dhe kemi dhënë më të mirën. Kemi luajtur në fazën “play-off” ndaj Polonisë, që ishte një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e Kombëtares për kualifikueset e Botërorit dhe jemi të trishtuar që nuk arritëm të kualifikoheshim më tej. Nesër do të jetë një ndeshje e bukur kundër Ukrainës, një skuadër që është po ashtu e zhgënjyer si ne.

Duke qenë se ndeshja është miqësore, cila do të jetë qasja juaj? A do të ketë ndryshime në formacion? Cili është objektivi?

Është shumë e vështirë ta përgatisësh ndeshjen në një situatë të tillë, pas humbjes me Poloninë. Niveli është i lartë dhe duhet përqendrim maksimal, sepse unë nuk besoj në ndeshje miqësore. Duhet të futemi në fushë 100 për qind të përqendruar. Nuk besoj se do të ndryshojmë 5-6 apo 7 lojtarë. Ka lojtarë që pyesin: “Mister, jam këtu, mund të luaj 45 minuta apo një ndeshje të plotë”. Pavarësisht mundësisë për t’u dhënë hapësirë lojtarëve që nuk kanë luajtur, duhet edhe të vijojmë me punën në grup. Pra, mund të kemi maksimumi 3-4 ndryshime.

E njihni shumë mirë Ukrainën pasi keni luajtur dy ndeshje në Nations League. Çfarë ndeshjeje prisni? Futboll sulmues? Ndeshje të hapur?

Pres një ndeshje të vështirë, sepse Ukraina ka lojtarë shumë të mirë. Nuk di të them se si do të luajë Ukraina, sikurse ende nuk e kam vendosur formacionin e Shqipërisë; do ta vendos nesër. Shpresoj të zgjedh formacionin më të mirë. Për ne është shumë e rëndësishme. Disa lojtarë duhet të më tregojnë se e meritojnë të luajnë për Kombëtaren edhe në të ardhmen. Ka shumë arsye për të dhënë maksimumin dhe për të luajtur një futboll të bukur. Nuk e di nëse do të jetë një ndeshje e hapur, por pres një sfidë të bukur.

Si jeni përgatitur për ndeshjen me Ukrainën, duke pasur vetëm dy ditë kohë në dispozicion?

Çdo trajner i përgatit ndeshjet në mënyrë të njëjtë. Ne kemi nisur përgatitjet më shumë se një muaj më parë dhe i kemi studiuar të gjithë kundërshtarët: Poloninë, Suedinë dhe Ukrainën. Tani është pak më e lehtë, sepse kemi analizuar çdo ndeshje kualifikuese të Ukrainës dhe kemi luajtur edhe dy ndeshje ndaj tyre në Nations League.

Shqipja tingëllon bukur, po gjuha ukrainase si ju duket?

Shqipja tingëllon bukur. Sa i përket gjuhës ukrainase, kur isha te Arsenal kisha një bashkëlojtar nga Ukraina dhe e dëgjoja të fliste. Më dukej shumë e vështirë për t’u kuptuar. Më tingëllon jo fort e ëmbël, por interesante.