Ju shikoni, ata bëjnë para e pushtet! Shumë para e pushtet
Nga Suela Gera
Po na vjedhin vëmendjen
Pyesni veten: Kur ka qenë hera e fundit që ke qëndruar pa bërë asgjë? Pa telefon, pa laptop, pa televizor, pa njerëz përreth për të folur për tema që algoritmi apo ekranet zgjedhin t’jua ofrojnë.
Kur ishte hera e fundit kur jeni ulur pa patur një celular pranë? Sa kohë keni mundur të qëndroni pa ngasjen për të hyrë në rrjetet sociale apo platforma të tjera, thjesht për scroll, shkruar apo komentuar?
KGM
KGM (Inicialet e vajzës) ishte vetëm 6 vjeçe kur nisi të përdorë Youtube. 9 vjeçe hyri në instagram fare thjeshtë, pa anjë pengesë. 10 vjeçe filloi të ndihej në depresion dhe të vetëdëmtohej, ndërsa marrëdhëniet me familjen dhe shkollën u bënë të vështira.
13 vjeçe u diagnostikua me çrregullim dismorfik të trupit (Kur një person është tepër i shqetësuar për 'defekte në pamjen fizike — edhe pse ato janë shumë të vogla ose nuk vihen re fare nga të tjerët) dhe fobi sociale.
‘Ndërpreva së bashkëvepruari me familjen sepse gjithë kohën e kaloja në rrjetet sociale’ – Dëshmoi vajza para jurisë së gjykatës së Los Anxhelosit në seancën e mbajtur në shkurt 2026.
Në moshën 20 vjeçare, vendosi të padisë Meta (zotëruese e Facebook dhe Instagram) dhe YouTube në gjykatë si shkaku i varësisë, ankthit e depresionit.
‘Ngjan me përdorim problematik, por jo një varësi’ - I tha jurisë së gjykatës së Los Anxhelosit drejtori ekzekutiv i Instagramit, Adam Mosseri kur u pyet si gjykonte që vajza kishte përdorur Instagramin deri në 16 orë në ditë.
Ju shikoni ata bëjnë para e pushtet
Në epokën digjitale dhe me përparimin e teknologjisë, vëmendja e njeriut është burim i çmuar fitimesh. Kompani, platforma teknologjike, mediatike por dhe politikanë konkurrojnë për të fituar vëmendjen tonë, sepse ajo po konvertohet në fitim ekonomik, ndikim social e pushtet.
‚Fokusi i vjedhur‘ (Titulli origjinal i librit ‚Stolen Focus‘ ) i një ndër autorëve britanikë më të shitur, Johann Hari, analizon si në jetën e sotme moderne po na vidhet vëmendja.
Si shpërqëndrimi, devijimi i vëmendjes, humbja e fokusit nuk është rastësi, as dobësi individuale e njeriut por rezultat i forcave të jashtme. Si teknologjia, pagjumësia, stili i jetesës, të ushqyerit dhe stresi kanë riformuar mënyrën se si jetojmë.
Shumë bëjnë me faj veten për pavëmendjen dhe padurimin, por e vërteta është më e komplikuar. Nuk është telefoni apo laptopi, por mënyra se si aplikacionet, programet në të janë projektuar për të “kapur” vëmendjen tonë.
Sepse modeli i biznesit i teknologjisë digitale dhe jo vetëm në kohët e sotme nuk është jeta e njeriut por është ‘koha në ekran’ (Screen time).
Gjithçka çfarë sheh është në bazë të një algoritmi. Eshtë e programuar se çfarë do të shikosh, kur do ta shikosh dhe si do ta shikosh.
“Arrijnë të kuptojnë me saktësi se çfarë të tërheq – çfarë të pëlqen, çfarë të ngjall emocione, çfarë të zemëron dhe çfarë të irriton, çfarë të nxit, dhe saktësisht çfarë të shpërqendron" (Stolen Focus)
Gjithçka çfarë sheh është në bazë të një algoritmi apo një strukture të mirëpërcaktuar për të depërtuar, dominuar dhe manipuluar psikologjinë e njeriut.
Sa më e fragmentuar bëhet vëmendja jonë, aq më shumë kemi nevojë për produktet e tyre për t’u ndjerë të lidhur, dhe aq më shumë përfitojnë ata.
“Algoritmet janë kaq të afta në kapjen e vëmendjes tonë, jo për ta drejtuar aty ku ne duam, por aty ku ata duan, sepse e monetizojnë atë. Po shesin vëmendjen tonë” thotë edhe Michael Pollan autor i librit “Shfaqet një botë: Udhëtim drejt ndërgjegjes” (Titulli original “A World Appears, A Journey into Consciousness”
Pse gjithë kjo?
Sepse: ‘Sa më shumë ju shikoni, aq më shumë ata bëjnë para’ shkruan Hari në librin e tij.
“Fokusi i vjedhur’
Në librin ‘Fokusi i vjedhur' Johann Hari sjell dhe tezën e James Wilson Williams një nga ish drejtuesit e Google, i cili tani studion ‘ekonominë e vëmendjes‘ dhe si teknologjia digjitale na shpërqëndron nga qëllimet reale dhe ka kapur vëmendjen tonë për përfitime monetare apo pushteti.
Williams e përkufizon vëmendjen si drita, që e bën botën përreth të qartë dhe të dukshme për ne dhe evidenton tre forma të vëmendjes.
E para, ‘spotlight’ – drita e skenës – Vëmendja e çastit. Kur përqendrohemi në veprime konkrete dhe afatshkurtra.
Si p.sh. të shkojmë në kuzhinë të bëjmë një kafe, të marrim çelësat e makinës, apo të përfundojmë leximin e kapitullit të një libri. Ndërprerja apo humbja e këtij fokusi na pengon të realizojmë në mënyrë efikase veprime të thjeshtë të përditshme të cilat ishim nisur t’i bënim. Pra unë shkoj në kuzhinë për të marrë çelësat, por kur jam atje kam harruar pse kam shkuar.
E quan ‚spotlight‘, pasi ngjason me dritën e skenës ku aktori qëndron me qëllim që vëmendja e publikut të jetë vetëm tek ai, ndërsa e gjithë pjesa tjetër është në errësirë.
E dyta, ‘Starlight’ – Drita e yllit - Vëmendja afatgjatë. Na ndihmon për të arritur qëllimet tona më afatgjata. Psh, të shkruajmë një libër, të hapim një biznes, apo të jemi një prind i mirë. Quhet ‚drita e yllit‘ sepse, nëse ndihesh i humbur shikon yjet dhe kujton drejtimin që ke zgjedhur në jetë.
Nëse shpërqëndrohemi nga kjo formë e vëmendjes rrezikojmë të humbasim kuptimin e rrugës që kemi zgjedhur për të arritur qëllimin tonë afatgjatë, pra ‘yllin’ tonë.
E tretë është ‚daylight‘ – Drita e diellit - Forma e vëmendjes që na lejon të reflektojmë dhe mendojmë qartë për qëllimet tona afatgjate. Psh: Si e dimë që duam të shkruajmë një libër, të ngremë një biznes apo të jemi prindër të mirë. Pa këtë qartësi mendore, nuk do të ishim në gjendje t’i përcaktonim këto synime. Drita e diellit, na lejon të shohim gjithçka përreth qartë. Ashtu si kjo formë e vëmendjes na ndihmon të kuptojmë veten dhe botën përreth.
Nëse shpërqëndrohemi atëherë humbasim qartësinë, nuk arrijmë të kuptojmë kush jemi, çfarë duam dhe ku do të shkojmë.
Po humbasim dritën!
Williams beson se humbja e kësaj vëmendjeje është forma më e rëndë e shpërqëndrimit.
„Njeriu ndalon së kuptuari veten, sepse nuk ka më hapësirën e nevojshme mendore për të krijuar një kuptim për veten e vet. Nis të fiksohesh pas qëllimeve të vogla e të parëndësishme, ose bëhesh i varur nga sinjale të thjeshta që vijnë nga bota e jashtme, siç janë reagimet në rrjetet sociale. E humbet veten në një kaskadë shpërqendrimesh‘ argumenton ai.
E sot 'të trija këto vëmendje na janë vjedhur. Ne po humbasim dritën tonë “ (Stolen Focus)
Për ta bërë më të kuptueshme Williams e krahason me sulmin ndaj një faqeje online. Hakerat dërgojnë njëkohësisht një numër të madh sinjalesh që përpiqen të lidhen me faqen duke mbingarkuar kapacitetin e serverit për të menaxhuar trafikun deri në pikën ku askush tjetër nuk mund ta vizitojë. Serveri nuk funksion më dhe faqja është jashtë përdorimit.
Po jetojmë një sulm të ngjashëm.
"Ne jemi ai serveri, dhe ekzistojnë të gjitha këto sinjale që përpiqen të na rrëmbejnë vëmendjen duke na bombarduar me informacione. Kjo minon aftësinë për t'iu përgjigjur çdo gjëje. Na lë në një gjendje shpërqendrimi, ose paralize" analizon Williams.
Jemi aq të mbytur nga informacioni, sa nuk gjejmë dot një hapësirë për ta kuptuar dhe për të gjetur një rrugëdalje.
Manipulatorët e mendjes
Le të kthehemi tek fitorja e KGM
Ajo që e bën gjyqin në Los Anxhelos të veçantë nuk është vetëm detyrimi miliona dollarë që dy kompanitë e mëdha teknologjike duhet t’i paguajnë 20 vjeçares për dëmin që i kanë bërë.
Juria në Los Anxhelos arriti në përfundimin se platformat e Metës dhe Google-it janë projektuar në mënyrë të qëllimshme për të inkurajuar sjellje të varësisë. Kjo është një gjetja shumë e rëndësishme nga procesi gjyqësor, duke pasur parasysh se historikisht këto kompani të mëdha janë mbrojtur duke hequr përgjegjësinë nga vetja me pretendimin se ato nuk ishin përgjegjëse për përmbajtjen e prodhuar nga përdoruesit.
‘Kompanitë kanë huazuar në mënyrë të konsiderueshme teknika të sjelljes dhe neurobiologjisë, të përdorura në poker dhe të shfrytëzuara nga industria e duhanit, për të maksimizuar angazhimin e të rinjve dhe për të rritur të ardhurat’ thotë studiuesi i teknologjisë Rob Nicholls cituar nga ‘The Guardian’
Scrolling (Rrëshqitja e pafund), rekomandimet algoritmike, riprodhimi automatik, përmbajtja që zhduket ose ka afat kohor, emojit, janë disa nga tiparet që përmenden si funksione që krijojnë varësi.
“Këto platforma arrijnë të kuptojnë me saktësi se çfarë të tërheq – çfarë të pëlqen, çfarë të ngjall emocion, çfarë të zemëron dhe çfarë të irriton. Ato arrijnë të kuptojnë çfarë të nxit, dhe saktësisht çfarë të shpërqendron.”
“Kjo do të thotë se ato mund të depërtojnë thellë në vëmendjen tënde. Sa herë që tundohesh ta lësh telefonin, këto platforma vazhdojnë të të ‘ushqejnë’ gradualisht me përmbajtje të zgjedhur nga sjellja jote e mëparshme, duke të mbajtur në scroll pa fund. Ata e dinë saktësisht si ta bëjnë’ (Stolen Focus)
Në thelb, të gjithë operojmë në industrinë e influencës, manipulimit të mendjes. Produktet që ndërtohen kanë një qëllim: të ndikojnë sjelljen e njerëzve që përdoruesit të lidhen fort, madje të bëhen të varur, nga ajo që krijohet
‘Çarku’
Po jetojmë në një kohë të programuar për të fragmentuar vëmendjen tonë. Po dëmtohet gjithnjë e më shumë aftësia për të menduar dhe perceptuar botën me vetëdijen tone.
Vendimi i Los Anxhelosit sinjalizoi çarje në mbrojtjet ligjore që për dekada i bëri kompanitë teknologjike pothuajse të paprekshme.
“Vëmendja dhe vetëdija jonë është si në çark dhe çlirimi i saj mund të jetë beteja vendimtare politike dhe morale e kohës tonë‘ thotë James Williams
E pra nëse deri dje e kishim konsideruar të mirëqënë, sot vëmendja jonë po na vidhet dhe pasojat do të jenë shumë të mëdha.