‘Qeveria, qëndrim antisocial ndaj qytetarëve’, Malaj: Zgjohet vetëm në kohë krize, duhen skenarët anti-inflacion

Në një kohë kur kriza globale e çmimeve kërcënon ekonominë dhe familjet shqiptare, qeveria është vënë nën kritika, ndaj qëndrimit “antisocial” të saj për shtresat në nevojë.

I ftuar në edicionin e pasdites në Syri Tv nën moderimin e Edvin Parrucës, ish ministri i Financave, Arben Malaj, tha se ndryshe nga shumë vende të tjera që kanë miratuar paketa sociale për të mbrojtur qytetarët, Shqipëria heziton të veprojë.

Sipas tij, qëndrimi i qeverisë është i pajustifikueshëm si nga pikëpamja njerëzore, ashtu edhe nga ajo shkencore, pasi inflacioni, argumenton Malaj, funksionon si një “taksë e pamiratuar me ligj” dhe regresive, që godet në mënyrë disproporcionale familjet me të ardhura të ulëta.

“Ndërsa qeveria nxjerr një inflacion mesatar rreth 3.5%, inflacioni real për ushqimet dhe pensionet mund të arrijë deri në 15%”, thekson ai, duke shtuar se pritja që çmimi i naftës të arrijë një nivel të caktuar për të ndërhyrë është një qasje e gabuar.

Malaj kritikoi mjaft ashpër edhe faktin se qeveria po përfiton financiarisht nga kjo krizë, pasi me rritjen e çmimeve, rriten automatikisht edhe të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

“Në mënyrë abuzive, qeveria merr para shtesë. Këto të ardhura nga inflacioni i lartë duhet të shkojnë jo për gjë tjetër, por vetëm për mbrojtjen sociale”, argumenton ai. Propozimi i tij është që këto fonde shtesë të kanalizohen menjëherë drejt paketave sociale të targetuara për të ndihmuar shtresat që shpenzojnë deri në 65% të të ardhurave për produkte jetike.

Unë jam munduar ta verifikoj këtë, nuk di si ta emërtoj, këtë qëndrim antisocial që mban qeveria ndaj shtresave në nevojë. Inflacioni është një tatim i pamiratuar me ligj, ne e quajmë taksë regresive, godet më shumë ata që kanë të ardhura më të vogla. Kështu që po të shikojmë të gjitha vendet kanë reaguar pikërisht me paketa sociale, për të mbështetur inflacionin e importuar. Në këtë aspekt unë nuk e justifikoj dot, e para nga këndvështrimi njerëzor, dhe e dyta edhe nga pikëpamja sociale, edhe nga pikëpamja shkencore, qëndrimin që mban Rama me këmbënguljen e tij se do të kujtohet për ata që goditen nga inflacioni i importuar kur çmimi i naftës të shkojë 220 lekë për litër.

 S'ka asnjë, asnjë lidhje niveli i çmimit me domosdoshmërinë për të ndërhyrë, sepse ne e dimë shumë mirë që ndërsa qeveria nxjerr një inflacion mesatar nga INSTAT-i, në fakt bota sot studion inflacionin e ushqimeve dhe inflacionin e pensioneve, i cili është dy-tre herë më i madh. Në qoftë se inflacioni që nxjerr INSTAT-i është 3%, 3.5%, ai shkon deri në 10-15%. E para, e dyta, ka vlerë në kohë paraja. Ne nuk mund të presim tani kur të qartësohet Rama që të aplikojë, si gjithë vendet e tjera paketa sociale, dhe as ta justifikojë sepse paska një këshilltar gjerman. Pashpirtësia ndaj shtresave sociale nuk ka të bëjë me kombësitë, ka të bëjë me ndjesitë dhe përgjegjësitë që ka çdo qeveri. Sepse qysh ditën e parë që ka ndodhur kjo krizë, unë jam munduar ta alertoj që ajo do të ishte një gjilpërë se do të prekte gjithë zinxhirin e ushqimeve dhe shërbimeve dhe se do të duhej patjetër një paketë sociale.

Kur themi që inflacioni është një taksë, madje në termat një taksë regresive, do të thotë që qeveria pa ndryshuar përqindjen e taksave dhe tatimeve, në mënyrë abuzive merr para shtesë. Pra në një mall që ishte 100 lekë, merreshin 20 lekë TVSH. Në një mall që shkon 120, merren 24. Pra apriori, qeveritë marrin të ardhura shtesë, por janë të ardhura nga inflacioni i lartë. Në këtë aspekt, këto të ardhura duhet të shkojnë jo për gjë tjetër, por vetëm për mbrojtjen sociale. Dhe duke qenë se në mbrojtjen sociale nuk do të përfshihet e gjithë shoqëria, ne paguajmë një kosto për inflacionin, një kosto të krizës së inflacionit siç ndodh në botë, atëherë këto para shkojnë në atë grup social që në vende të tjera mund të jetë deri në 40%, që pra, ndihmohen ata individë me paketa të ndryshme sociale që të ardhurat e tyre, si të thuash, përdoren deri në 40% për mallra dhe shërbime.

Në vendin tonë, edhe nga kritikat e fundit të Bankës Botërore që Shqipëria ka një sistem të mbrojtjes sociale shumë të dobët, ka njerëz të cilët harxhojnë deri në 60, 65% të të ardhurave të tyre thjesht për mallra dhe shërbime jetike, ndihen të braktisur. Dhe ata duhen ndihmuar. Ndihmat janë të ndryshme. Ajo që më shqetëson mua është që qeveria zgjohet nga gjumi kur ndodh kriza, kur ajo duhet të kishte të gatshme skenarët anti-inflacion. Duhet të dinte shumë mirë se kush ishin shtresa sociale që ka nevojë, do të përcaktonte se në ç'masë do i ndihmonte dhe në mënyrë që ne kemi mësuar nga krizat e tjera, nuk do ua kalonte këto para në llogarinë bankare të përgjithshme, se ata mund ta, mund të mos i merrnin, dhe ekonomia nuk ecën se ndihma për shtresat në nevojë ka dy funksione.

E para është stepjen sociale dhe e dyta, në të gjitha studimet, shtresat e varfra i harxhojnë paratë shumë më shpejt sesa çdo grupim tjetër. Dhe në këtë aspekt ndihet edhe efekti në ekonomi. Dhe për këtë arsye, që të mos ndodhë si në krizat e tjera, sugjerohet, meqë ka avancuar dhe teknologjia, që të ketë një smart card, një kartë të mençur që vepron shpejt, që është vetëm për këto para. Pra ti merr kartën, blen vetëm bukë, as të vesh të lozësh bixhoz, as të vesh të blesh makina, pra mos të abuzohet. Po shkon direkt tek ushqimi. Kështu që ne edhe mburremi që jemi më të mirët në e-government dhe s'kemi asnjë instrument. Shumë vende këtë po bëjnë, sepse rekomandohet që nuk mund t'i kompensosh dot të gjithë, por duhen shumë mirë të targetuar ata që do trajtosh me ndihmë sociale dhe kjo bëhet në këtë mënyrë.

Klasa e mesme ndihmohet me politika fiskale. Fermerët ndihmohen në mënyrë urgjente se humbet cikli i prodhimit. Dhe në qoftë se bujqësia e vendit tonë, ku pretendohet se vijnë 14 milionë turistë në vit, është me një rritje negative zero, do të thotë që ne ushqehemi nga importi dhe sasia e madhe e importit është jashtëzakonisht e madhe, por edhe inflacioni që vjen në vendin tonë ngaqë importojmë, është shumë i madh. Kështu që nuk e kuptoj këtë braktisje, është tmerrësisht e paimagjinueshme dhe nuk ka asnjë justifikim, sikur edhe nobelisti më i mirë të vijë në botë ta ketë gjetur Rama që ta këshillojë atë që braktisje popullin tënd dhe vetëm kur të mbushet mendja aty, mendo për ndonjë paketë fiskale apo për uljen e çmimeve.

Qeveria kur merr mandatin është një kontratë. Dhe në kontratat që qeveria bën me popullin e saj, kontrata më e rëndësishme është kontrata sociale. Prandaj treguesit që zënë më shumë vend në debatet politike janë si ulet papunësia, si ulet varfëria, si ulet pabarazia. A duhet. Nga ana tjetër, ne duhet të jemi një popull që duhet të reagojë sepse na shkelet një e drejtë. Por marrim parasysh specifikat shqiptare. Zhvillimi jonë politik është gati total. Braktisja e vendit është jashtëzakonisht e lartë. Vetëm 10 vitet e fundit, sipas Bashkimit Europian, kanë marrë shtetësi në vendet e Bashkimit Europian 520,000 veta. Pra janë larguar përfundimisht. E kanë braktisur vendin e tyre, vetëm në 10 vjet. Kështu që në këtë, në këtë aspekt patjetër duhet të ketë një ndërgjegjësim, por ka rënë dhe besimi. Dhe një studiues i politikës në Universitetin e Yale-it thotë: "Në vendet ku votuesit e kanë humbur besimin se vota e tyre sjell ndryshim, autokracitë apo mbretëritë kryeministrore vijnë pa tanke". Pra, ne i lejojmë që ata të na shtypin.