'Tendera pa garë dhe abuzim me taksat', Teliti: Modeli Veliaj vijon në bashki, hiqen fondet për 5 shkolla

Në një deklaratë për Syri TV, Këshilltari për çështjet ekonomike në PD, Dorian Teliti foli mbi zhvillimet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku u shpreh se mazhoranca po vijon një praktikë të përsëritur të shkeljes së ligjit dhe abuzimit me fondet publike në dëm të qytetarëve.

Ai denoncoi se vendimmarrjet po merren pa transparencë dhe jashtë çdo procedure ligjore, ndërsa theksoi se fondet e destinuara për investime jetike, si ndërtimi i shkollave, po devijohen për qëllime të tjera, duke ngritur shqetësime serioze mbi menaxhimin e buxhetit dhe përgjegjshmërinë institucionale në Bashkinë e Tiranës.

Pjesë nga deklarata:

Sapo ka filluar para disa minutash mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, mbledhja e muajit të marsit, e cila, siç janë zhvilluar 31 mbledhjet e kaluara të 31 muajve të fundit, edhe në muajin e 32-të të ekzistencës së këtij këshilli, vazhdojmë përsëri në shkelje të hapur të ligjit, të procedurës dhe të mbrojtjes së interesave publike të Tiranës.

Konkretisht, çfarë bëjnë edhe sot që flasim? Fusin akte në rend dite pa i njoftuar ato paraprakisht, siç e detyron ligji dhe rregullorja, sipas afateve ligjore. Miratojnë strategji të cilat nuk kanë materiale përkatëse dhe asnjë informacion shoqërues. Bëjnë gjoja procedura konsultimesh publike me grupe patronazhistësh dhe mund t’ju denoncojmë me emra e mbiemra përfaqësuesit e tyre, të cilët vijnë gjoja për të bërë konsultime publike dhe nuk dorëzojnë asnjë procesverbal për sa i përket përmbajtjes së këtyre konsultimeve.

Vazhdojnë sot të ndryshojnë buxhetin e Tiranës, buxhetin prej 400 milionë eurosh, duke hequr fondet nga shkollat dhe duke i çuar ato për koncerte dhe aktivitete. Dhe më e rënda mbi të gjitha, vazhdojnë në muajin e 32-të të ekzistencës së këtij këshilli të mohojnë ngritjen e Komisionit të Kontrollit të Brendshëm Financiar, i cili është detyrim ligjor, si i ligjit 139 për pushtetin vendor, ashtu edhe i rregullores së brendshme, dhe i cili është i vetmi instrument në dorën sidomos të këshilltarëve të opozitës për të monitoruar zbatimin e buxhetit ditor, javor, mujor dhe vjetor të Bashkisë së Tiranës.

E dinë shumë mirë që duart i kanë të zhytura në zullume klienteliste. E dinë shumë mirë që vazhdojnë ende të zhvillojnë tendera pa garë. Vazhdojnë ende të abuzojnë me taksat e Tiranës. Vazhdojnë të abuzojnë me gjobat në Tiranë. Vazhdojnë të shkojnë nëpër biznese duke i prishur njërit tendën, po tjetrit jo. Vazhdojnë të ushtrojnë presione nga më të ndryshmet. Vazhdojnë të mbushin arkën e shtetit, më falni, arkën e Bashkisë së Tiranës me dhjetëra milionë euro çdo muaj dhe të mos japin llogari as edhe për 100-she ku shkon.

Sot do të hiqen pesë shkolla; pesë shkolla eliminohen sot me vendim të Këshillit Bashkiak, me justifikimin e vetëm që paskan se nuk kanë pasur kohë për të hartuar projektin, ndërkohë që ky është buxheti i miratuar po nga vetë këta në muajin dhjetor, katër muaj më parë. Atëherë projektet i kishin, kurse sot projektet janë zhdukur. Me sa duket, dy janë gjërat: ose na kanë gënjyer për projektet që gjoja i kanë pasur dhe s’i kanë pasur kurrë, ose ato projekte janë grisur për të hartuar tashmë projekte të reja me klientelën e tyre të ndërtuesve, të cilëve nuk u paskan pëlqyer pesë projektet e mëparshme të shkollave të Tiranës.

Ne do të jemi dhe do të vazhdojmë të jemi këtu për të kërkuar të drejtat e qytetarëve të Tiranës, për të kërkuar transparencë, e cila mungon prej 32 muajsh në këtë bashki. Kur kemi sot një kryetar bashkie ende në detyrë, fatkeqësisht, por që ndodhet në arrest shtëpie në burgun e Durrësit, ende përsëri ekipi i tij, që ka lënë këtu pas dhe që ka deleguar gjoja për të kryer punët në emër të tij, vazhdon me të njëjtin model pune.

Ka ikur fizikisht nga Bashkia e Tiranës Erion Veliaj, por modeli Veliaj i pagesës së inceneratorit që nuk ekziston, i zhdukjes së fondeve të arsimit, që në vend që të shkojnë për shkolla, kopshte dhe çerdhe, shkojnë për aktivitetet e tyre të qejfit dhe të luksit, i zhdukjes së hapësirave publike për t’u ndërtuar betonizim, beton dhe kulla në Tiranë, ai model që ishte po i njëjti vazhdon pa as edhe ndryshimin më të vogël.

Por këta ta harrojnë që, ndonëse ne jemi të paktë në numër dhe jemi në opozitë, ta mbyllim gojën dhe të mos i ngrejmë këto shqetësime. Ndonëse, në një mbledhje mujore ku ne kërkojmë që këshilli të mblidhet çdo javë, përsëri përballemi me refuzimin e tyre, pasi interesi i tyre nuk është të diskutojmë për çështjet e Tiranës, por interesi i tyre i vetëm është të miratojnë ato projektvendime që kanë ardhur nga ata të cilët janë sot persona non grata me Erion Veliajn në Bashkinë e Tiranës.