Tottenhami në kaos, kërkon shpëtim tek trajneri italian
Klubi anglez Tottenham Hotspur po kalon një nga momentet më të vështira të sezonit, teksa ka vendosur të shkarkojë trajnerin Igor Tudor pas vetëm shtatë ndeshjesh në drejtim. Vendimi erdhi në një periudhë krize të thellë, me londinezët që kanë marrë vetëm një pikë në pesë takimet e fundit dhe ndodhen në vendet e fundit të tabelës, shumë pranë zonës së rënies nga kategoria në Premier League.
Drejtuesit e klubit janë në kërkim urgjent të trajnerit të tretë sezonal, me synimin e vetëm për të shmangur rënien. Emri që kryeson listën është ai i italianit Roberto De Zerbi, i cili konsiderohet si profili ideal për të ndërtuar një projekt afatgjatë dhe për të rikthyer stabilitetin në skuadër.
De Zerbi, i cili u largua nga aventura e tij me Olympique Marseille në muajin shkurt, kishte planifikuar të rikthehej në stol vetëm gjatë verës, për të përgatitur më mirë aspektin fizik dhe taktik të ekipit të ardhshëm. Megjithatë, situata emergjente te Tottenhami ka bërë që drejtuesit të intensifikojnë kontaktet për ta bindur të marrë menjëherë drejtimin e skuadrës. Madje, sipas medieve angleze, i është ofruar një kontratë pesëvjeçare me vlerë rreth 12 milionë paundë në sezon, që do ta bënte një nga trajnerët më të paguar në Angli, menjëherë pas Pep Guardiolës.
Ndërkohë që italiani po reflekton dhe nuk e ka mbyllur derën për një marrëveshje, klubi po shqyrton edhe alternativa të tjera. Mes emrave të përmendur janë Adi Hütter, Sean Dyche dhe Ryan Mason. Një ide surprizë e përmendur nga media britanike është edhe rikthimi i veteranit Glenn Hoddle, i cili ka drejtuar më parë Tottenhamin në fillim të viteve 2000.
Situata mbetet e tensionuar në Londër, ndërsa drejtuesit e klubit janë të vendosur të marrin një vendim të shpejtë për të shpëtuar sezonin dhe për të shmangur një dështim historik.