‘Paratë e konfiskuara nga krimi t’i kthehen shoqërisë’ - Balliu prezanton projektligjin, PS kundër!

PD përmes deputetit Klevis Balliu prezantoi këtë të hënë, 30 mars, projektligjin për konfiskimin e parave të krimit të organizuar dhe shpërndarjen e tyre në interes të shoqërisë.

Balliu kërkoi që pasuritë e konfiskuara nga krimi i organizuar të përdoren për efektivët e policisë që kanë rënë në detyrë, për familjet e qytetarëve që kanë mbetur viktima nga përplasjet e bandave kriminale, si dhe për mbështetjen e çifteve të reja.

Sipas Balliut, një nga dramat më të mëdha kombëtare sot është largimi i të rinjve nga Shqipëria, si pasojë e pamundësisë për të ndërtuar jetën e tyre në vend.

Ligjvënësi demokrat theksoi se shumë të rinj nuk kanë mundësi të blejnë një shtëpi, pasi çmimet janë rritur ndjeshëm, edhe si pasojë e pastrimit të parave të drogës në sektorin e ndërtimit.

Mazhoranca e Partisë Socialiste votoi kundër projektligjit që në ditën e parë të shqyrtimit të tij në Komisionin e Ligjeve dhe në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Sipas Balliut, nuk u dha asnjë argument i qartë për rrëzimin e projektligjit.

“E vetmja arsye është se projektligji është propozuar nga unë”, u shpreh Balliu gjatë mbledhjes së komisionit.

“Është e turpshme që të votohet kundër një projektligji që synon të ndihmojë shoqërinë, dhe të kthejë tek qytetarët paratë e grabitura nga krimi i organizuar,” deklaroi Balliu.