Për Ramën, integrimi thes mielli për tym propagandistik!

Nga Petrit Vasili 

Rama dhe njëfarë ministre, që zbavitet e merr rrogën gjoja për integrimin dolën prap sot e lëshuan shashkat mashtruese të radhës me suksese imagjinare në integrimin europian.

E dinë shumë mirë edhe Rama edhe Ministrja që situata me integrimin europian është katastrofike dhe vulën ia kanë vënë rezolutat dërrmuese të Parlamentit Europian.

Është e qartë dhe në dritën e diellit se për Ramën integrimi europian nuk është objektiv madhor dhe as prioritet i prioriteteve por thjesht një thes mielli që ai i bie sa herë është në hall për të nxjerrë tym propagandistik.

Faktet flasin vetë ku më i fundit është shtyrja e raportit IBAR, i cili përcakton nëse janë përmbushur kriteret e shtetit të së drejtës dhe përfshin grup-kapitullin e parë për reformën në drejtësi, siguri, luftën kundër korrupsionit dhe liritë e njeriut, e cila nuk është miratuar nga Brukseli.

Shumë vende europiane kanë ngritur çështje shumë të forta për situatën kritike në Shqipëri.

Miratimi i raportit IBAR është kusht themelor për të mundësuar mbylljen e kapitujve të negociatave dhe avancimin e procesit të integrimit.

Situata pas votimit për Ballukun, raporti i OSBE për shkatërrimin e zgjedhjeve, instalimi i narkoshtetit, asgjësimi i reformës në drejtësi, aferat dhe skandalet korruptive, që s’kanë të sosur, dhuna ndaj opozitës dhe të drejtës së saj për të protestuar, asgjësimi i jetës parlamentare, pengimi i komisioneve hetimore, rrëmbimet pa ligj të pronës së qytetarëve janë përpara syve të të gjithëve.

Aferat ku Rama personalisht është i përfshirë janë tashmë të ditura e të provuara dhe vetëm SPAK po bën përpjekjet e fundit të dëshpëruara për ta shtyrë hetimin e tyre.

Ndaj opozita duhet të vazhdojë të qëndrojë e superpërqendruar në protestë, në denoncimin dhe në diskreditimin e Ramës dhe narkoqeverisjes dhe thesin e miellit me tym propagande t’ia lërë Ramës.