Berisha: Prej 8 muajsh Rama ka bllokuar ngritjen e Komisioneve Hetimore, se çdo dosje është një incenerator i ri. Mediat heshtin
Në takimin e zhvilluar këtë të hënë me drejtuesit dhe koordinatorët në PD, lideri demokrat Sali Berisha, në fjalën e tij u shpreh se prej tetë muajsh, Edi Rama ka bllokuar ngritjen e komisioneve hetimore. Sipas Berishës, çdo dosje është një incenerator i ri, ndërsa për këtë fakt, mediat heshtin.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Qytetarët duhet ta dinë se ne shkojmë në një parlament të pushtuar.
Unë ju them shqiptarëve se, asnjë pushtues nuk do të sillej, ose nuk do të vendoste në parlamentin e një vendi, një regjim si ky, në të cilin opozita shumëzohet me zero. në të gjitha funksionet e saj kushtetuese.
Përpjekjet e jashtëzakonshme që bëjmë ne.
Sot Eno Bozdo, e patë në konferencë shtypi. Me përgjegjësinë e një deputeti dhe detyrën që ka në komisionin parlamentar, institucionet qeveritare sikur të ishin shpella mafioze, nuk i japim deputetit asnjë dokument.
Imagjinoni ju se, si mund të kryejmë ne detyrimet si deputet, kur përjashtohemi nga çdo lloj informacioni apo dokumenti. Por ky është realiteti.
Në parlament, prej 8 muajsh ndalohet ngritja e komisioneve hetimore parlamentare.
Me të drejtë qytetarët presin që ne të ushtrojmë funksionin themelor që kemi, transparencën dhe kërkesën e llogarisë.
Kjo është e pamundur, përdorimi i mekanizmit parlamentar.
Po pse është e pamundur? Sepse Edi Rama e di që çdo dosje që hapet është një incenerator i ri. Nuk lejon më. E pa që çdo dosje është një varr për hajdutët qeveritar, ndaj nuk i lejon më.
Në parlament, Gjykata Kushtetuese shumëzohet me zero.
E shikoni ju Olta Xhaçkën, monumenti i turpit. Ka vjedhur me të shoqin 10 mijë metër katror tokë dhe është dënuar kryetari i Bashkisë së Himarës se ka firmosur dokumentet.
Gjykata Kushtetuese dy herë ka vendosur, por e mban Edi Rama në parlament.
Pra, kjo është situata, kjo është gjendja. Dhe në këtë situatë është vetëm opozita.
Për të mos thënë pastaj mediat, të cilat nuk i dëgjoni të trajtojnë asnjë nga këto probleme. Asnjë nga këto probleme, që kanë të bëjnë me fatet e vendit, me fatet e njerëzve të thjeshtë, me xhepat e njerëzve të thjeshtë, me jetën e tyre.
Do të stisisin dhe stërstisin lloj-lloj temash, vetëm e vetëm që të mbulojnë këto të vërteta.