Rama u premtonte shqiptarëve pasaportën, por BE-së, me shkresa zyrtare i thotë nuk jemi gati deri në 2050

Edi Rama dhe ministrja e Shtetit, njëkohësisht Kryenegociatore me BE-në, Majlinda Dhuka, dolën në një konferecë shtypi për të treguar se ku është Shqipëria me integrimin.

Një dalje propagandistike për të mbuluar atë se çfarë në realitet po ndodh më përmbushjen e kushteve, dhe letrave, që vetë Dhuka me miratimin e Ramës dërgojnë në institucionet e Bashkimit Evropian ku pranojnë e bardha mbi te zezë se Shqipërisë i duhen dekada për t’u integruar në BE pasi nuk plotësojnë një sërë kushtësh.

Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, u shpreh se Shqipëria po punon në mënyrë proaktive për përmbushjen e kushteve që do të mundësojnë afrimin e vendit drejt anëtarësimit në BE.

 “Shumë punë është përpara për tu bërë deri në vitin 2027, dhe pas këtij viti deri në fund të dekadës ku apsirojmë që të kemi përmbushur kriteret për të qenë pjesë anëtare e BE. Shqipëria ka marrë vlerësimin pozitiv të Komisionit Evropian në shkurt të këtij. Jemi të gatshëm të plotësojmë çdo kërkesë.

Shqipëria duhet të kalojë në fazën e mbylljes së kapitujve, një nga një të 33 kapitujve, ne kemi nisur punën për mbylljen e kapitujve. Kemi punuar për plotësimin e kushteve për mbylljen e negociatave, pra për çeljen, për kushte e ndërmjetme, dhe për kushte e mbylljes.

Janë 157 institucione, dynivelshe Shqipëri-BE. Shqipëria i ka përmbushur 24 kushte të ndërmjetme. Kemi marrë 101 kushte për mbylljen e negociatave, pasi ka përmbushur 24 kushtet e ndërmjetme”, tha ajo.

Por deklaratat propagandistike të Edi Ramës dhe Kryenegociatores për ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian vijnë në një kohë kur dokumente zyrtare tregojnë një panoramë më aspak entuziaste dhe nxjerr zbuluar mashtrimin elektoral të rilindjes, “Shqipëria2023” në BE, apo tallavanë me pasaportën europiane për shqiptarët.

Sipas të dhënave zyrtare të investiguara nga faktoje.al, Shqipëria ka bërë progres në hapjen e kapitujve të negociatave, duke çelur gjashtë grup-kapituj që përfshijnë 33 kapituj gjithsej. Megjithatë, për pjesën dërrmuese të tyre – rreth 22 kapituj – vetë autoritetet shqiptare kanë kërkuar periudha tranzitore për përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Kërkesa për kohë shtesë në fusha kyçe

Dokumentet tregojnë se Shqipëria nuk parashikon përmbushje të menjëhershme të detyrimeve në disa sektorë kritikë:

Siguria ushqimore: kërkohet periudhë tranzitore deri në 4 vite pas anëtarësimit (deri rreth 2034).
Uji i pijshëm: kërkohet shtyrje deri në vitin 2040 për zbatimin e plotë të standardeve europiane.
Mbetjet e paketimit: kërkohet deri në 10 vite pas anëtarësimit.
Trajtimi i ujërave të zeza: afatet shtrihen deri në vitin 2050 ose 20 vite pas anëtarësimit.

Këto kërkesa konfirmohen si pjesë e praktikës negociuese, por vetë Komisioni Evropian thekson se masat tranzitore duhet të jenë të kufizuara dhe të shoqërohen me plane të qarta zbatimi.

Probleme strukturore të evidentuara nga auditimet

Raportet e Kontrolli i Lartë i Shtetit evidentojnë mangësi serioze në disa sektorë:

Kapacitete të pamjaftueshme për garantimin e sigurisë ushqimore
Mungesë laboratorësh të akredituar për analizat e ujit të pijshëm
Monitorim i pamjaftueshëm mjedisor për shkak të fondeve të kufizuara

Këto problematika sugjerojnë se sfida nuk është vetëm legjislative, por edhe në zbatimin praktik të standardeve.

Skepticizëm për afatin 2030

Ish-kryenegociatori Zef Mazi e konsideron objektivin e anëtarësimit deri në vitin 2030 si ambicioz dhe potencialisht jorealist, duke theksuar se:

“Mbyllja e kapitujve kërkon zbatim të plotë dhe jo vetëm harmonizim formal.”

Një vlerësim i ngjashëm vjen edhe nga Ilda Zhulali, e cila nënvizon se hapja e kapitujve është vetëm hapi i parë, ndërsa mbyllja e tyre kërkon reforma të thella dhe miratim nga të gjitha vendet anëtare.

Ngërç në procesin e vlerësimit

Procesi i integrimit mbetet i bllokuar edhe në nivel politik në Këshilli i Bashkimit Evropian, ku disa shtete anëtare kanë shprehur rezerva për progresin e Shqipërisë, veçanërisht në lidhje me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Raporti i ndërmjetëm (IBAR), i cili është kyç për avancimin drejt mbylljes së kapitujve, ende nuk ka marrë miratimin e plotë të vendeve anëtare.

Hendeku ekonomik dhe institucional

Sipas analizave ekonomike, diferenca mes Shqipërisë dhe vendeve të BE mbetet e thellë:

Të ardhurat për frymë: rreth 8,800 euro në Shqipëri kundrejt rreth 46,000 euro në BE
Pagat: rreth 3.9 euro/orë në Shqipëri kundrejt 16.8 euro/orë në BE

Ekspertët theksojnë se konvergjenca kërkon reforma të thella, investime strategjike dhe forcim të institucioneve.

Mes realitetit dhe retorikës

Ndërsa qeveria thekson progresin në hapjen e kapitujve dhe ritmin e negociatave, dokumentet zyrtare dhe analizat e ekspertëve po të kësaj qeverie tregojnë se rruga drejt anëtarësimit është më e gjatë dhe më komplekse.

Procesi i integrimit nuk varet vetëm nga deklaratat politike apo afatet e shpallura, por nga zbatimi konkret i reformave dhe nga vlerësimi i vendeve anëtare të Bashkimit Europian.