Durrës/ Tentoi të korruptojë policinë, arrestohet 38-vjeçari i dehur në timon

Policia Rrugore e Durrësit ka goditur një tjetër rast të tentativës për korrupsion nga drejtuesit e automjeteve, duke e çuar në 11 numrin e personave të arrestuar apo proceduar penalisht për këtë vepër.

Në pranga ka rënë një 38-vjeçar, i cili u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe tentoi t’u ofronte para punonjësve të policisë për të shmangur përgjegjësinë ligjore.

Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor “Golem-Plepa”, ku shërbimet e Policisë Rrugore ndaluan automjetin me drejtues shtetasin L. K., 38 vjeç, banues në Tiranë. Pas testit të alkoolit, ai rezultoi në gjendje të dehur.

Gjatë procedurave, drejtuesi i mjetit u ka ofruar punonjësve të policisë shumën prej 5 000 lekësh, me qëllim shmangien e ndëshkimit.

Në përfundim të veprimeve, 38-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.