Çfarë do të thotë hyrja e rebelëve Huthi në luftë! Rrezik për tregtinë globale dhe stabilitetin rajonal

Përfshirja më aktive e rebelëve Houthi të Jemenit në konfliktin në Iran pritet të ndikojë ndjeshëm si në zhvillimin e luftës, ashtu edhe në stabilitetin e Lindjes së Mesme.

Çështja kryesore nuk është vetëm nëse organizata do të nisë sulme me raketa dhe dronë kundër Izraelit, por kryesisht nëse do të shfrytëzojë pozicionin e saj gjeografik në Ngushticën Bab al-Mandab për të prishur transportin ndërkombëtar detar.

Sipas analizës së The Guardian, rëndësia e Houthi-ve qëndron në aftësinë e tyre për të ndikuar një nga rrugët më të rëndësishme detare të tregtisë globale. Nëse kjo ngushticë bëhet e pasigurt për anijet tregtare, ndërkohë që presioni vazhdon edhe në ngushticën e Hormuzit, pasojat për ekonominë botërore mund të jenë të mëdha, duke rritur kostot e transportit dhe çmimet e energjisë.

Houthi-t, të cilët kontrollojnë pjesë të mëdha të Jemenit që nga viti 2014, kanë treguar se janë një forcë e qëndrueshme. Edhe pse në vitin 2025 u goditën nga sulme që eliminuan disa drejtues të tyre, organizata ka ruajtur unitetin, ndërsa lideri i saj, Abdul Malik al-Houthi, mbetet ende i pakapur.

Armëpushimi me Shtetet e Bashkuara, i arritur me ndërmjetësimin e Omanit në maj 2025, uli sulmet ndaj anijeve në rajon. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk përfshinte fillimisht Izraelin dhe siguria në Detin e Kuq vazhdon të jetë e brishtë. Për këtë arsye, shumë kompani të mëdha detare zgjedhin ende rrugë më të gjata, duke shmangur zonën dhe duke kaluar nga Kepi i Shpresës së Mirë.

Analiza thekson se Houthi-t mund të veprojnë me kujdes, pasi synojnë përfitime politike dhe ekonomike brenda Jemenit. Ndërkohë, Arabia Saudite po përpiqet të krijojë një ekuilibër të ri në vend, duke negociuar si me forcat jugore, ashtu edhe me Houthi-t, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.

Aftësia e Houthi-ve për të bllokuar lundrimin konsiderohet një mjet i fuqishëm presioni, ndoshta më efektiv se sulmet në distanca të gjata. Qëndrimi i tyre do të ndikojë drejtpërdrejt nëse konflikti do të mbetet i kufizuar apo do të përhapet në një krizë më të gjerë rajonale.

Ndërkohë, rreziku i përshkallëzimit shton shqetësimet për të ardhmen e Jemenit, i cili vazhdon të përballet me një luftë civile të gjatë dhe një krizë të rëndë humanitare. Përfshirja më e thellë në konflikt mund të përkeqësojë edhe më tej situatën ekonomike dhe sociale në vend.