Tre vite hetim, asnjë përgjigje: Vijojnë abuzimet e çmimeve nga dy gjigantët celularë 'ONE' & 'VODAFONE'
Në studion e “Kafe Shqeto”, gazetari Flavio Qarri përballë publikut diskutoi një nga shqetësimet më të mëdha të qytetarëve shqiptarë: dominimin e tregut të shërbimeve celulare nga dy gjigantët Vodafone Albania dhe One Albania. Sipas një investigimi të Autoritetit të Konkurrencës, pas tre viteve hetim të pathelluar, këto kompani janë vendosur nën lupën e një procedure të thelluar për praktikat e tyre në tregun me pakicë të telefonisë celulare.
Qarri theksoi se qytetarët nuk kanë alternativa reale: “Nëse me naftë mund të përdorim biçikletën, siç thoshte dikur Erion Veliaj, sa i takon Vodafone-it dhe One-it, nuk mund të përdorim as pëllumbat, as sinjalet e tymit. Jemi të detyruar t’i përdorim ata çdo muaj,” shpjegoi ai.
Hetimi i Autoritetit ka zbuluar praktika që ngjasojnë me një oligopol të ngushtë, ku konkurrenca reale mungon dhe çmimet për shërbimet bazë janë abuzive.
Përpjekjet e institucioneve dhe mediave për të komunikuar me kompanitë kanë qenë të pakta në efekt, pasi deri tani asnjëri prej tyre nuk ka reaguar.
Qarri nënvizoi rëndësinë e transparencës dhe respektimit të parimeve të të drejtës së informimit, duke theksuar se qytetarët presin ulje të çmimeve dhe shërbim më të drejtë.
Ky debat vjen në një moment kyç, ku Autoriteti i Konkurrencës po shqyrton mënyrat për të mbrojtur konsumatorët dhe për të sfiduar dominimin e dy gjigantëve në treg, duke bërë që publiku të presë me padurim hapat e ardhshëm të këtij hetimi.
DEKLARATA NË 'KAFE SHQETO'
I kanë mekanizmat për të ndërhyrë në treg siç është mekanizmi që kam këtu, në këtë dosje jo shumë voluminoze, është një investigim i Autoritetit të Konkurrencës, për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar, ndaj ndërmarrjeve Vodafone Albania dhe One Albania, në tregun me pakicë të shërbimeve celulare.
Dhe ky vendim i nëntorit të 2025-ës, vjen pas tre viteve hetim të pathelluar ndaj Vodafone-it dhe One-it.
I njihni këto dy logo. Ju marrin lekë çdo muaj këta. Dhe sipas Autoritetit të Konkurrencës, të cilit i kemi shkruar, e kemi kontaktuar, jemi përpjekur për të komunikuar me ata, njësoj siç kemi bërë edhe me Vodafone-in, njëjtë siç kemi bërë edhe me One-in.
Sigurisht deri në këto momente që po e bëj këtë koment, ende asnjëri prej tyre nuk ka reaguar.
Megjithatë miq të dashur, është një nga shqetësimet më të mëdha të qytetarëve shqiptarë. Pastaj, nuk ka asnjë shpëtim.
Nëse me naftë mund të përdorim biçikletën siç thoshte Erion Veliaj dikur, sa i takon Vodafone-it dhe One-it nuk përdorim dot më as pëllumbat, as sinjalet e tymit. Jemi të detyruar t'i përdorim One-in dhe Vodafone-in.
Sigurisht gjetjet që tek hetimi i pathelluar janë shqetësuese për praktikat e tyre oligopoliste në treg.
Ne shpresojmë ndoshta për herë të fundit që ato, të na kthejnë përgjigje ashtu siç duhet, duke respektuar parimet, sidomos ato të të drejtës së informimit. Dhe mbi të gjitha pastaj, nëse do ishte vërtet për të na respektuar, mirë do ishte të ulnim çmimet, se e kemi marrë vesh që janë abuzive, sepse janë çikë oligopol".