Detaje të reja nga vrasja brutale e 13-vjeçares shqiptare në Itali/ Çfarë i shkroi ajo ChatGPT para vdekjes?

Zbardhen detaje të reja tronditëse nga vrasja e 13-vjeçares shqiptare, Aurora Tila, e cila humbi jetën pasi u shty nga ballkoni nga ish i dashuri i saj.

Sipas mediave italiane, pyetjet që e mitura i kishte drejtuar inteligjencës artificiale ChatGPT janë bërë pjesë e provave kyçe në procesin gjyqësor ndaj autorit. Këto komunikime hedhin dritë mbi gjendjen emocionale të vajzës dhe përpjekjet e saj për të kuptuar një marrëdhënie që rezultoi fatale.

Vendimi është dhënë nga Gjykata e të Miturve në Bolonjë, e cila dënoi me 17 vite burg ish-të dashurin e saj, i cili në kohën e ngjarjes ishte vetëm 15 vjeç.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 25 tetor 2024 në Piacenza, ku 13-vjeçarja humbi jetën pasi u rrëzua nga ballkoni i një ndërtese.

Hetimet zbuluan se Aurora kishte kërkuar ndihmë nga inteligjenca artificiale për të kuptuar situatën në të cilën ndodhej. Ajo kishte pyetur nëse duhej t’i jepte fund lidhjes dhe si të dallonte dashurinë e vërtetë nga një marrëdhënie toksike.

Sipas trupit gjykues, marrëdhënia mes të miturve karakterizohej nga përndjekje, presion i vazhdueshëm dhe kontroll obsesiv, duke i shkaktuar viktimës frikë për sigurinë e saj. Kjo frikë, sipas gjykatës, e shtyu Aurorën të pranonte takimin e fundit me autorin.

Gjykata evidenton se sjellja e të riut dominohej nga xhelozia ekstreme dhe posesiviteti, i shoqëruar me kërcënime të qarta, si: “Nëse nuk je me mua, nuk do të jesh me askënd tjetër”.

Një tjetër element i rëndë është fakti se, ndonëse paramendimi nuk u provua zyrtarisht, i riu i kishte rrëfyer një shoku një ditë para ngjarjes se kishte ndërmend ta vriste vajzën. Ky detaj doli në dritë përmes dëshmisë së një ish-shoku qelie. Gjithashtu, hetimet zbuluan se ai kishte marrë me vete edhe një kaçavidë, e cila u sekuestrua më pas.

Mesazhet që ai i kishte dërguar Aurorës për takimin e fundit u konsideruan manipuluese dhe shqetësuese: “Nesër është hera e fundit, pastaj kurrë më” dhe “Të premtoj se pas së premtes nuk do të të kontaktoj më”.

Sipas vendimit, Aurora e pranoi takimin me shpresën për të qetësuar situatën dhe për të ulur tensionet pas vendimit të saj për t’i dhënë fund lidhjes. Por, sipas hetimeve, i riu kishte planifikuar ta shfrytëzonte këtë takim për të realizuar krimin.

Gjykata thekson gjithashtu se i dënuari nuk ka shfaqur pendesë. Fillimisht ai pretendoi se ngjarja ishte aksidentale, më pas se vajza ishte vetëhedhur, por këto versione u rrëzuan nga provat, të cilat u cilësuan si të forta dhe të pakundërshtueshme, të mbështetura edhe nga dëshmitë e personave që panë ngjarjen.