Gjashtë ushtarë izraelitë plagosen në Liban
Ushtria izraelite njofton se gjashtë ushtarë të saj janë plagosur në Liban në incidente të ndara.
Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), dy ushtarë u plagosën rëndë pasi ndaj tyre u qëllua me një raketë antitank në jug të Libanit, pasditen e djeshme.
Tre të tjerë u plagosën, njëri prej tyre rëndë, pasi një dron ra pranë tyre. Një ushtar tjetër u plagos si pasojë e një “aksidenti operacional”. Të gjithë të plagosurit janë transportuar në spital.
Ofensiva e rinisur e Izraelit në Liban nisi pasi Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, hodhi raketa drejt veriut të Izraelit në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit dhe për sulmet e përditshme ndaj grupit.
Që nga ajo kohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, sulmet izraelite kanë shkaktuar mbi 1,000 viktima në vend.
Izraeli ka deklaruar gjithashtu se synon të marrë kontrollin e një pjese të madhe të jugut të Libanit, si pjesë e operacioneve tokësore kundër Hezbollahut./BBC