Qyteti Studenti drejt zbrazjes, aktivisti paralajmëron: Po i hapet rrugë kullave
Aktivisti Aurel Kujtimi ka ngritur shqetësime të forta mbi gjendjen në Qyteti Studenti, duke paralajmëruar se degradimi i kushteve mund të jetë i qëllimshëm dhe i lidhur me plane për ndërtime të reja.
I ftuar në emisionin Kafe Shqeto në Syri TV, Kujtimi deklaroi se, pavarësisht investimeve prej mbi 20 milionë eurosh në vitet e fundit, situata në konvikte mbetet problematike. Sipas tij, godinat e rikonstruktuara po dalin sërish jashtë funksionit, ndërsa kushtet bazike - si uji i ngrohtë, higjiena dhe siguria - mungojnë në mënyrë alarmante.
Ai theksoi se studentët shpesh detyrohen të lahen me kova apo kanoçe dhe se furnizimi me ujë është me orare, edhe në godina të reja. “Të flasësh për mungesë uji në vitin 2026 është turp,” u shpreh Kujtimi, duke shtuar se këto kushte i kanë demoralizuar studentët dhe po i largojnë nga konviktet.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me rënien drastike të numrit të banorëve në Qytetin Studenti. Nga rreth 6000 studentë para vitit 2013, sot numri sipas tij ka rënë ndjeshëm, duke e kthyer zonën në një hapësirë pothuajse të boshatisur.
Në këtë kontekst, Kujtimi hodhi dyshime se zbrazja e qëllimshme e zonës mund të lidhet me interesa ndërtimi. Sipas tij, banorë të zonës kanë ngritur alarmin se në të ardhmen mund të ndërtohen kulla dhe pallate në këtë hapësirë. Ai përmendi edhe deklarata të mëparshme të Edi Rama për zhvendosjen e studentëve drejt kampuseve në Durrës, duke e parë këtë si një sinjal të mundshëm për ndryshim destinacioni të truallit në Tiranë.
Megjithatë, aktivisti theksoi se nuk disponon prova konkrete për këto plane, por e cilësoi situatën si alarmante dhe kërkoi hetim të plotë, përfshirë një audit nga institucionet përkatëse, për të verifikuar përdorimin e fondeve dhe cilësinë e punimeve.
Ai paralajmëroi se nëse kushtet nuk përmirësohen dhe nuk ka transparencë, rrezikohet që Qyteti Studenti të humbasë funksionin e tij dhe t’i hapet rruga projekteve të reja ndërtimore.
Kujtimi:
Arsyeja është shumë e thjeshtë, siç u dha dhe në insert që gjithçka ishte propagandë. Sot edhe pas 2018-ës kur është premtuar pakti për universitetin, çdo gjë është po njësoj. Arsyet është shumë e thjeshtë sepse kushtet për studentët janë kushte minimale. Nuk është se po kërkon një luks, të thuash ndonjë ambient shumë luksi për të qëndruar, por kushtet bazike për për studentët. Mungesa e kushteve i ka demoralizuar për të jetuar në konvikte. Është infrastruktura në në këto godina. Është mungesa e mensave publike, e aktiviteteve sportive dhe sigurisht është siguria, që siguria në Qytetin e Studentit është në nivele zero. Dhe këto e bëjnë studentët të demoralizohen dhe mos të jetojnë më në Qytetin e Studentit. Se këto kushte nuk plotësohen. Të kesh një tualet për shembull në 2026 të lahen me kanoçe, me kova, me këto gjërat është për të qeshur, por nga një anë është edhe për t'u mërzitur se fund të fundit këto janë e ardhmja e vendit.
Në fakt nuk ka shumë diferencë pavarësisht se janë bërë investime kohët e fundit, që janë shpenzuar miliarda lekë. Mos të themi një shifër shumë e madhe. Më e madhe se ajo që ne raportuam, pra mbi 5 miliardë lekë është shifra. Shifrat janë mbi 20 milionë euro, 20-25 milionë euro që janë investuar në Qytetin e Studentit, bile në këto godina që janë bërë vitet e fundit, le të themi për dy-tre vitet e fundit ose edhe këto muajt e fundit, godinat po fillojnë të dalin jashtë përdorimit, një gjë jashtë përdorimit, diçka tjetër dhe këto ma i konfirmojnë. Në godinat e reja, të rikonstruktuara. Nëse futet KLSH-ja t'i investigojë tamam, të bëjë një audit, do e shikoj që këtu janë bërë punime skandaloze dhe vlera që janë shpenzuar për këto godina është shumë herë më e madhe se çfarë është investuar në këto godina. Dhe kjo është qartazi një,problem shumë i madh për qytetin e studentit, që deri më sot askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për këto abuzime, se të investohen mbi 20 milionë euro, kampusi duhet të ishte shumë gjigand dhe jo vetëm disa mure të lyera të konvikteve dhe kjo pjesa tjetër që nuk kanë tualete, se është higjenike, është absurde të mendon në 2026 të lahesh me me kova apo me kanoçe dhe mungesa e e ujit të ngrohtë.
Që kjo është një problem shumë i madh që ka mungesë. Nuk lahen. Është me orare. Domethënë në shumicën e godinave është me orare, shpeshherë edhe në këto godina të reja që e kanë dushin gjoja 24 orë, ikën, nuk nuk është. Pra as ujë dhe as ujë të ngrohtë. Kështu që për studentët që janë edhe në punë, kjo është një problem shumë i madh. Edhe kjo është një arsye pse nuk jetojnë në konvikte, se në fund të fundit dikush po bën edhe shkollën, po mundohet që të punojë për të nxjerrë edhe kostot e jetesës së vet. Pastaj do shikojë një realitet ndryshe të shkosh në godina dhe mos të lahesh dhe të shkosh të nesërmen në punë pa u larë, të thuash në 2026 kam mungesë uji, është turp.
Kjo është një problem shumë i madh për studentët që në fillim të vitit edhe në vazhdim presionet nga drejtoria që ju bënin studentëve nëse s'paguni një vit të plotë do ju nxjerrim nga godina. Më fal kush janë këto që t'i nxjerrin studentët nga godina?
Të mos kesh mundësi ekonomike të paguash një vit dhe duhet të dalësh jashtë? Për çfarë arsye? Një student nuk ka mundësi po punon se në fund të fundit kostot e jetesës në Tiranë janë shumë të larta. Mbase këto drejtorët i kanë ato buxhetin e vet, i përballojnë jetesën se varet çfarë marrin e tjerë e tjerë, po studentët, po rraskapiten për të nxjerrë dy lekë në fund të fundit dhe t'ju kërkosh një tarifë një vjeçare për studentët është diçka e papërballueshme.
Mbase kjo, kjo është, lidhet me faktin që çdo vit Qyteti i Studentit po i bie numri. Domethënë para 2013 ka qenë një numër shumë i lartë, rreth 6000 studentë, mbase edhe më shumë. Sot që ne flasim, shifrat thonë që është 3.5, por unë mendoj që është akoma më pak. Se po të shkosh në Qytetin e Studentit do shikosh rrugë të zbrazura, nuk ka studentë, ka vetëm makina që qarkullojnë edhe nuk i intereson fare policisë se kush janë këto që po qarkullojnë në një qytet studenti që ka studentë, kupton? Dhe prandaj kjo lidhet edhe me pjesën e sigurisë. Është si shkretëtirë. Siç shkosh në shkretëtirë e njëjta gjë është edhe në qytetin e studentit.
Tani po ta marrim në këtë pjesë, për mendimin tim është më mirë të kesh më pak kosto të jetosh në konvikt, por sigurisht të kesh kushte. Vërtetë po thonë, jo po s'po paguajnë shumë, 45000 lekë apo 65000 lekë në muaj. Po në konvikt nuk është se e ke dhomën personale tënde, je me katër studentë apo me pesë studentë dhe shumë apo aty shkon sa të marrësh një shtëpi. Por të paktën në shtëpi e ke ujin, ke kushtet, ke tualetin dhe nuk lahesh si në...edhe mbase edhe në kohën që kanë qenë studentët e viteve të larta, që është kjo. Unë besoj se duhet të jenë la më mirë sesa po lahen këto studentët sot. Dhe kjo ndikon shumë, ndikon shumë, edhe mua më vjen shumë keq që po zbrazet Qyteti Studenti. Por duhet ta citojmë që mbase kjo zbrazja e Qytetit Studenti ka një plan. Plani është për ta shpopulluar atë vend dhe për të ndërtuar kulla, pallate.
Të paktën kështu më kanë thënë banorët e zonës, që do nisin pallate. Unë nuk e di se sa e vërtetë është, por më ra në rastin edhe një deklarate që e ka përmendur edhe kryeministri i vendit, që ka thënë që studentët që studiojnë, më fal, në Tiranë, do t'i strehojmë në Durrës. Pse duhet të shkojnë studentët e Tiranës në Durrës të strehohen në kampuse, kur ti ke shumë hapësira këtu në Tiranë? Qytetin e Studentit mund ta bëje një kampus shumë të madh.
Në logjikën time, të paktën edhe nga banorët e zonës, unë nuk është se e kam një informacion, se po ta kisha një informacion tamam-tamam konkret, do ta nxirrja, se kjo është alarm. Të shpopullosh Qytetin e Studentit të studentëve për t'i dhënë kulla oligarkëve apo personave që lidhen ngushtë me pushtetin.