Australia tjetër masë për të lehtësuar qytetarët nga rritja e çmimeve, pas transportit publik falas, përgjysmon akcizën e karburanteve

Qeveria e Australisë ka vendosur të përgjysmojë përkohësisht akcizën mbi karburantin deri në fund të muajit qershor, në një përpjekje për të ulur barrën financiare për familjet.

Sipas vendimit, taksa mbi karburantin, e vendosur nga qeveria për çdo litër të shitur, do të reduktohet me 26.3 cent për litër për benzinën.

Kryeministri australian, Anthony Albanese, njoftoi vendimin përmes një postimi në rrjetin social X, duke theksuar se masa synon të ndihmojë qytetarët përballë rritjes së çmimeve.

“Po përgjysmojmë taksën e karburantit për tre muaj që të kurseni para kur mbushni makinën,” u shpreh Albanese. Ai shtoi se konfliktet ndërkombëtare po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve brenda vendit, duke rritur presionin mbi familjet australiane.

Në të njëjtën kohë, dy shtete australiane, Victoria dhe Tasmania, kanë ndërmarrë masa shtesë duke e bërë përkohësisht falas transportin publik.

Kjo lëvizje synon të dekurajojë përdorimin e automjeteve private dhe të ulë konsumin e karburantit në një periudhë me çmime të larta.