Ernest Muçi largohet nga grumbullimi, Sylvinho pa një ‘armë’ të rëndësishme përballë Ukrainës

Kombëtarja shqiptare ke zhvilluar seancën e radhës stërvitore në qendrën sportive Parador de El Saler të Valencias, me kuqezinjtë që janë stërvitur për rreth 1 orë me intensitet të plotë.

Trajneri Sylvinho dhe stafi teknik i kanë angazhuar lojtarët në në ushtrime fizike fillimisht, teksa më tej stërvitja është fokusuar në ushtrime me topin dhe ndeshje kontrolli.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se me skuadrën nuk është stërvitur sot sulmuesi Ernest Muçi, i cili që të shtunën ka ndier një shqetësim në pjesën e pasme të kofshës së djathtë.

Për këtë arsye, dje iu nënshtrua një rezonance magnetike, e cila evidentoi një edemë në nivelin e muskulit, që kërkon disa ditë pushim për shërim të plotë e si pasojë ai nuk mund të rikuperohet në kohë plotësisht për ndeshjen ndaj Ukrainës.

Pas konsultimit me stafin mjekësor, trajneri Sylvinho vendosi ta linte të lirë Muçin, i cili ka udhëtuar sot drejt Turqisë për të vijuar rikuperimin.

Gjithashtu, në seancën e sotme stërvitore nuk mori pjesë edhe mesfushori Jasir Asani, i cili ka pësuar një goditje në gjurin e djathtë gjatë stërvitjes së djeshme. Stafi mjekësor po e mban në monitorim të vazhdueshëm gjendjen e tij dhe nesër do të vlerësohet nëse futbollisti do të jetë i gatshëm për t’u rikthyer në stërvitje.